Nxënësit e Shkollës Fillore “Shkëndija” vazhdojnë të shënojnë suksese në aktivitetet kulturore

Shkolla Fillore “Shkëndija” po vazhdon të jetë një përfaqësuese dinjitoze e komunës sonë në aktivitetet kulturore, duke arritur suksese mbresëlënëse kudo që prezantohet. Me talentin, përkushtimin dhe punën e palodhshme të nxënësve dhe stafit arsimor, kjo shkollë po dëshmon vazhdimisht nivel të lartë organizimi dhe cilësie artistike.

Në shenjë vlerësimi për këto arritje, kryetari i Komunës së Suharekës, z. Bali Muharremaj, i priti këtë mëngjes nxënësit në zyrën e tij, duke përgëzuar suksesin e tyre dhe duke theksuar rëndësinë e mbështetjes institucionale për zhvillimin e kulturës dhe talentit të të rinjve. Takimi u zhvillua në një atmosferë pozitive, ku u theksua se këto suksese janë krenari për komunën dhe motivim për brezat e ardhshëm.