Njësia e Zjarrfikësve në Komunën e Suharekës bëhet me objekt të ri sipas standardeve evropiane

Pas shumë dekadash pa një infrastrukturë të përshtatshme, Njësia e Zjarrfikësve në Komunën e Suharekës do të pajiset me një objekt të ri, modern dhe të ndërtuar sipas standardeve evropiane. Ky është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e kapaciteteve të reagimit emergjent dhe për garantimin e sigurisë së qytetarëve.

Lajmin e ka bërë të ditur Kryetari i Komunës, z. Bali Muharremaj, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka theksuar se ndërtimi i këtij objekti është pjesë e një bashkëfinancimi me Shoqatën humanitare “Jetimat e Ballkanit”.

Sipas tij, vlera totale e projektit kap shumën prej 850 mijë euro, ku Komuna e Suharekës kontribuon me 250 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër prej 600 mijë euro vjen si donacion nga Shoqata “Jetimat e Ballkanit”.

“Rreth 1.5 milion euro do të jenë investime të reja për qytetarët e Komunës së Suharekës në bashkëpunim me Shoqatën ‘Jetimat e Ballkanit’,” ka theksuar Kryetari Muharremaj, duke vlerësuar këtë projekt si një ndër më të rëndësishmit për sektorin e sigurisë dhe emergjencave civile.

Humanisti i njohur dhe udhëheqësi i Shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, z. Halil Kastrati, është shprehur i lumtur që tani ka mundësinë të kontribuojë edhe për Njësinë e Zjarrfikësve. “Këta burra janë në gatishmëri 24 orë në ditë për t’i shërbyer komunitetit, prandaj ne ndihemi të privilegjuar që po japim kontribut në ndërtimin e qendrës së tyre,” ka deklaruar Kastrati, duke theksuar përkushtimin e shoqatës për të qenë gjithmonë pranë atyre që kanë nevojë.

Në të njëjtin komunikim, Kryetari Muharremaj ka bërë të ditur edhe një marrëveshje tjetër të rëndësishme të nënshkruar me Shoqatën “Jetimat e Ballkanit” për ndërtimin e 20 shtëpive të reja për familjet në nevojë në Komunën e Suharekës.

“Me këtë marrëveshje të re bashkëfinancimi, Komuna do të zgjidhë për një periudhë afatgjatë çështjen e strehimit për shumë familje që përballen me kushte të rënda jetese. Falënderim i veçantë për Halil Kastratin, i cili, si humanist por edhe si Qytetar Nderi i Komunës sonë, nuk ka hezituar asnjëherë të dalë në ndihmë të atyre që kanë nevojë,” ka shtuar kryetari.

Ky bashkëpunim i frytshëm mes Komunës së Suharekës dhe Shoqatës “Jetimat e Ballkanit” është dëshmi konkrete e solidaritetit, humanizmit dhe angazhimit të përbashkët për përmirësimin e jetës së qytetarëve.