Ngacmimi dhe dhuna kibernetike ndaj grave nuk janë liri e shprehjes – janë dhunë

Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës (RrGGK) shpreh shqetësim të thellë dhe solidaritet të plotë me aktivisten dhe juristen e të drejtës së medias, znj. Flutura Kusari, e cila tashmë mbi tre vite është përballur me një fushatë të vazhdueshme ngacmimi, denigrimi dhe presioni publik – një formë e qartë e dhunës kibernetike.

Vendimi i Prokurorisë së Apelit, që refuzoi ankesën e saj, dhe më herët ai i Prokurorisë Themelore, që hodhi poshtë kallëzimin penal ndaj Mentor Llugaliut, krijojnë një precedent të rrezikshëm ligjor dhe shoqëror. Këto vendime legjitimojnë ngacmimin publik dhe inkurajojnë dhunuesit – veçanërisht kur cak është një grua me zë kritik në hapësirën publike.

Ngacmimi i përsëritur nuk është opinion. Nuk është debat. Nuk është satirë.
Kur një grua sulmohet me mbi 100 postime publike, që shpërndahen dhe komentohen me mijëra fyerje dhe denigrime, kjo është një strategji sistematike frikësimi dhe heshtjeje.

Si rrjet që mbrojmë të drejtat dhe sigurinë e grave në media dhe hapësira publike, theksojmë se dhuna online është ndër arsyet kryesore pse shumë gra hezitojnë të marrin pjesë në jetën publike. Mungesa e reagimit institucional vetëm sa e thellon këtë problem, duke bërë që organet përgjegjëse të kthehen në bashkëfajtore përmes heshtjes së tyre.

RrGGK i bashkohet thirrjes për Këshillin Prokurorial të Kosovës që të rivlerësojë urgjentisht performancën dhe përgjegjësinë e prokurorëve Kushtrim Zeka dhe Shkëlzen Brahimi, të cilët, përkundër përmasave të rënda të rastit, nuk e trajtuan me seriozitetin e nevojshëm.

Qëndrojmë krah Flutura Kusarit, me mirënjohje për guximin, përkushtimin dhe zërin e saj të palëkundur në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe të drejtave të grave.