Muharremaj prezanton Qeverinë Lokale të re të Suharekës pas zgjedhjeve të tetorit /

Kryetari i Komunës së Suharekës, z. Bali Muharremaj, ka prezantuar sot përbërjen e Qeverisë Lokale të re, të dalë nga zgjedhjet lokale të mbajtura në muajin tetor. Me këtë rast, ai ka emëruar drejtorët e drejtorive komunale, duke kombinuar figura të reja me drejtues që kanë qenë pjesë e mandatit të kaluar.

Sipas vendimeve të kryetarit, disa nga drejtorët aktualë do të vazhdojnë detyrën edhe në këtë mandat, përfshirë drejtorin e Arsimit, z. Remzi Bajselmani, si dhe drejtorin e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, z. Visar Kuqi. Ndërkohë, në Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është emëruar znj. Donjete Kabashi.

Pozita e nënkryetares së Komunës do të ushtrohet nga znj. Arta Gashi. Po ashtu, në kuadër të bashkëqeverisjes me Partinë Demokratike të Kosovës, kjo parti do të udhëheqë disa drejtori komunale.

Përbërja e plotë e Qeverisë Lokale të Komunës së Suharekës për mandatin e ri është si në vijim:

  • Arta Gashi – Nënkryetare e Komunës
  • Kymete Bajraktari – Drejtoreshë e Shëndetësisë
  • Gent Gashi – Drejtor i Inspekcionit
  • Erza Ramadani – Drejtoreshë e Ekonomisë dhe Financave
  • Liridon Jollxhiu – Drejtor i Administratës
  • Armend Krasniqi – Drejtor i Bujqësisë
  • Remzi Bajselmani – Drejtor i Arsimit
  • Amir Hoxha – Drejtor i Shërbimeve Publike
  • Donjete Kabashi – Drejtoreshë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit
  • Mensur Selimaj – Drejtor për Pronë dhe Kadastër
  • Visar Kuqi – Drejtor i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor

Me këtë përbërje, Kryetari Muharremaj ka theksuar synimin për një qeverisje funksionale, gjithëpërfshirëse dhe të orientuar drejt realizimit të projekteve në interes të qytetarëve të Komunës së Suharekës.