Magjia e operës në zemër të Prishtinës – RLIOF 2025 drejt përmbylljes me një mbrëmje gala

Nga skenat më prestigjioze të operës në botë, tenori Ramë Lahaj kthehet çdo vit në Prishtinë për ta ndarë suksesin e tij me publikun vendor, përmes Ramë Lahaj International Opera Festival (RLIOF), i cili tashmë është shndërruar në një traditë kulturore.

Në kuadër të festivalit, në kabinetin e Kryetarit u pritën yjet ndërkombëtarë të mbrëmjes gala: sopranoja Nino Machaidze, basi Dario Russo dhe dirigjenti i njohur Roberto Rizzi Brignoli. Kjo mbrëmje madhështore do të mbahet më 2 gushtsheshin “Skënderbeu” dhe do të shoqërohet nga tingujt e Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit të Shqipërisë.

Për 11 ditë me radhë, RLIOF 2025 ka sjellë në Prishtinë një atmosferë të veçantë përmes koncerteve, punëtorive dhe aktiviteteve që promovojnë artin operistik. Koncerti gala shënon kulmin dhe njëherësh përmbylljen e këtij edicioni të suksesshëm.

Urime organizatorëve dhe falënderime për punën e palodhshme që po e bëjnë Prishtinën një qendër të operës ndërkombëtare.