LDK dhe LVV votojnë kundër rregullores së Bonus Zonimit në Suharekë – reagojnë kompanitë ndërtimore

Sot në sallën e Kuvendit Komunal të Suharekës është mbajtur seanca e rregullt e Asamblesë Komunale, ku për herë të tretë është shqyrtuar projekt-rregullorja për Bonus Zonimin.

Kjo rregullore konsiderohet me rëndësi të madhe për qytetarët që japin pronat për ndërtim, si dhe për kompanitë ndërtimore që operojnë në qytet, pasi hap rrugë të reja për zhvillim urban dhe i jep koeficient të rritur ndërtimi kompanive që realizojnë projekte në përputhje me interesin publik.

Pavarësisht rëndësisë që ka kjo rregullore, ajo nuk mori mbështetjen e mjaftueshme për të kaluar në votim. Me 13 vota pro, 14 kundër dhe 1 abstenim, projekt-rregullorja u rrëzua në votim, duke sjellë reagime të menjëhershme nga sektori privat i ndërtimit në Suharekë.

Përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) , që votuan kundër, deklaruan se nuk janë parimisht kundër rregullores, por kërkuan përmirësime në përmbajtje. Asamblisti Selman Kolgeci nga LDK theksoi:

“Ne e ndiejmë obligim publik të sqarojmë qytetarët, ndërtuesit dhe pronarët e tokave, se nuk jemi kundër kësaj rregulloreje – kërkojmë që ajo të përmirësohet. Ne mbështesim një rregullore funksionale dhe të dobishme, që ndihmon zhvillimin urban, lehtëson investimet dhe përkrah zbatimin e Hartës Zonale në funksion të ndërtimit të qytetit.”

Në anën tjetër, drejtori i Urbanizmit, z. Visar Kuçi, deklaroi se:

“Projekt-rregullorja është përgatitur në bashkëpunim me ekspertë të fushës dhe ka kaluar në debat publik, ku janë pranuar komente nga qytetarët dhe profesionistët, përfshirë mbi 21 kompani ndërtimi nga Suhareka. Këto kompani kanë dorëzuar nënshkrime për ta rikthyer rregulloren si pikë të rendit të ditës për votim.

Pas votimit dhe moskalimit të rregullores, reagimet nga komuniteti i ndërtuesve në Suharekë nuk vonuan. Kompanitë ndërtimore shprehën pakënaqësinë dhe zhgënjimin ndaj asambleistëve që votuan kundër, duke theksuar se kjo rregullore është në interes të përbashkët të qytetarëve, komunës dhe sektorit privat. Ato paralajmëruan se në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, do të ndëshkojnë me votë të gjithë ata që, sipas tyre, kanë vepruar kundër zhvillimit të qytetit.