LDK dhe LVV kundërshtojnë Projekt-Rregulloren për bonuset e zonimit në Suharekë

Në mbledhjen e sotme të Asamblesë Komunale të Suharekës, ndër pikat kryesore të rendit të ditës ishte edhe shqyrtimi i Projekt-Rregullores për bonuset e zonimit, një dokument ky i sponsorizuar nga Drejtoria e Urbanizmit. Kjo është hera e dytë që kjo rregullore vjen për votim në asamble, por sërish nuk arriti të marrë miratimin e nevojshëm.

Rregullorja synonte të krijonte një bazë ligjore për shpronësime dhe hapjen e rrugëve të reja duke mundësuar një rritje të koeficientit të ndërtimit për kompanitë ndërtimore që operojnë në zonat e përcaktuara. Sipas Drejtorisë përkatëse, miratimi i saj do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë pozitiv si për institucionin komunal, ashtu edhe për qytetarët.

Përkundër mbështetjes nga grupi i AAK-së, i cili dha 14 vota pro, projekt-rregullorja u rrëzua me 16 vota kundër nga përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Nuk pati asnjë abstenim.

Ky vendim ka nxitur reagime të forta nga komuniteti i biznesit lokal. Arben Gega, përfaqësues i kompanisë ndërtimore INK-Group, në një deklaratë për redaksinë e Radio Vala, tha se mosmiratimi i kësaj rregulloreje është një dëm i drejtpërdrejtë ndaj zhvillimit urban dhe ekonomik të Suharekës.

“Asambleistët e Komunës së Suharekës sot, për herë të dytë, votuan kundër mundësisë që kjo komunë të bëhet e para në Kosovë me një rregullore për shpronësime. Komuna hap rrugë të reja e i jep koeficientin e ndërtimit kompanive që ndërtojnë, por mungesa e rregullores po pengon zhvillimin. Ne, më shumë se 10 kompani ndërtimore, jemi duke pritur këtë dokument. U bëjmë thirrje qytetarëve të reflektojnë për këtë situatë në zgjedhjet e 12 tetorit,” – u shpreh Gega, duke kritikuar në veçanti LDK-në dhe VV-në për, siç tha ai, “votë kundër interesave të qytetarëve.”

Përveç kësaj pike, në mbledhje nuk u miratuan as:

  • Projekt-vendimi për miratimin e Kornizës Afatmesme Buxhetore për periudhën 2026–2028, dhe
  • Projekt-vendimi për hapjen e shqyrtimit publik të Planit Rregullues të Hollësishëm për Zonën Ekonomike në Duhël.

Këto zhvillime reflektojnë një klimë të tensionuar politike dhe institucionale brenda Asamblesë Komunale, ndërkohë që shumë projekte të rëndësishme për zhvillimin e komunës mbeten pezull për shkak të mospajtimeve politike.