Sot në Suharekë janë mbajtur aktivitete të ndryshme për nder të Ditës së Çlirimit – 13 Qershori, nën patronatin e Kryetarit të Komunës, z. Bali Muharremaj.
Aktivitetet kanë filluar me vizita dhe nderime tek varrezat e Dëshmorëve në Suharekë, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve komunale, subjekteve politike, shoqatave të dala nga lufta, familjarë të dëshmorëve, veteranë, invalidë lufte si dhe mysafirë nga qytete të tjera, të cilët bënë homazhe për të nderuar sakrificën e dëshmorëve të kombit.
Në vazhdim u mbajt edhe një akademi përkujtimore për të nderuar të gjithë ata që dhanë jetën dhe kontributin e tyre gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në fjalën e tij, Kryetari i Komunës, z. Bali Muharremaj, tha:
“Çdo 13 Qershor na mbledh bashkë të gjithëve, pa dallime feje apo përkatësie politike, për të nderuar të gjithë ata që dhanë jetën dhe kontributin e tyre për këtë ditë që sot ne e gëzojmë. Me këtë rast, kemi ndarë edhe mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar për këtë ditë.”
Aktivitetet do të vazhdojnë edhe në orët e mbrëmjes. Nga ora 18:00 është planifikuar parakalimi i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa nga ora 20:00 do të mbahet një koncert festiv.














Lini një Përgjigje