Qeveria miraton rritjen e pensioneve për kategoritë e dala nga lufta

Qeveria e Kosovës e ka miratuar rritjen e pensioneve për të gjitha kategoritë e dala nga lufta e fundit në Kosovë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se të gjitha pensionet e kategorive të dala nga lufta do të rriten për 20 për qind.

Nga kjo rritje do të përfitojnë familjet e dëshmorëve, invalidët, veteranët, pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare Kosovës, viktimat e dhunës seksuale të luftës dhe viktimat civile.

“Do të rriten pensionet familjare për familjet e dëshmorëve të UÇK-së, duke filluar nga familja që ka një dëshmorë do të jetë 20 për qind, dy apo më tepër dëshmorë rritja do të jetë përtej 20 për qind. Ngjashëm do të jetë edhe për pensionet për familjet e të zhdukurve të UÇK-së. Edhe pensionet invalidore për invalidët e UÇK-së do të rriten të gjitha kategoritë mbi 20 për qind, si dhe shtesat dhe përkujdese për ndihmë për invalidët e UÇK-së. Edhe pensionet familjare pas vdekjes së invalidit të UÇK-së do të ketë rritje prej 20 për qind. E njëjta është edhe te familjet e të zhdukurve civilë, si dhe edhe pensionet invalidore personale për invalidë civilë të luftës, të gjitha kategoritë do rriten me 20 për qind. Vlen të theksohet se rritje do të ketë edhe kategoria e veteranëve të luftës prej 20 për qind si dhe viktimat e dhunës seksuale me 20 për qind mbi shumën aktuale”, tha Murati.

Rritja do të vlejë nga ky muaj, theksoi ministri Murati në një konferencë për media.