Gazeta Sinjali ka raportuar dje ekskluzivisht se dy persona janë kapur në flagrancë me drogë gjatë një operacioni, të cilët janë arrestuar nën dyshimin për përfshirje në trafikimin dhe shpërndarjen e narkotikëve në Ferizaj.
Burime ekskluzive të Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se Liridon Haxholli, 27 vjeçar dhe Fahri Haxha, 27 vjeçar janë të arrestuarit që u kapën në flagrancë në dalje të autostradës “Arbër Xhaferi”, teksa po transportonin një sasi të konsiderueshme të substancës narkotike marihuanë, e cila sipas dyshimeve fillestare arrin rreth 2 kilogramë.
Ndërsa, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata cakimin e masës së paraburgimit ndaj L.H. nga Prishtina për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja ose shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas Prokurorisë “ekziston dyshimi i bazuar se më datë 07.05.2025, rreth orës 15:40, në fshatinBibaj, Komuna Ferizaj, konkretisht në dalje të autostradës Ferizaj-Prishtinë, i pandehuri pa autorizim ka poseduar me qëllim të shitjes substanca narkotike të llojit marihuanë në atë mënyrë që ditën kritike derisa i pandehuri ishte pasagjer në veturën “Tiguan”, të cilën e drejtonte F.H., dhe atë pasi që ishin ndalur në hyrje të autostradës në fshatin Bibaj, konkretisht në pushimore, në momentin që vëren zyrtarët policor i pandehuri hedh në tokë dy qese me substancë narkotike marihuanë të mbështjellura në foli alumini me pesha 99.2 gram dhe 98.9 gram ndërkaq pas kontrollit tek i njëjti gjendet edhe një cigare me substancë narkotike e llojit marihuanë, me peshë 0.5 gram, kurse nën dyshimin se i njëjti posedon sasi tjera narkotike është kryer kontrolli dhe bastisja në banesën ku jeton në Prishtinë, ku janë gjetur dhe sekuestruar: substancë e dyshuar narkotike e llojit Marihuanë me peshë të përgjithshme 1460 gram, foli alumini, peshore e tipit “Avec”, foli najloni, të cilat dyshohet se kanë qenë të destinuara për paketimin dhe ndarjen e substancës narkotike me qëllim të shitjes, si dhe para të gatshme në kartëmonedha 7×100 euro, 38×50 euro, 22×20 euro, 17×10 euro dhe 11×5 euro , në total tremijë e dyqind e gjashtëdhjetë e pesë (3265) euro, të cilat janë sekuestruar nga policia, me çka ka për të kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 par.1 të KPRK-së”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Lini një Përgjigje