Sot në fshatin Bukosh, në oborrin e shkollës fillore të fshatit, ka filluar ndërtimi i sallës sportive. Në ceremoninë e fillimit të punimeve ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Suharekës, z. Bali Muharremaj, i cili së bashku me nxënësit e shkollës vendosi gurthemelin e këtij objekti të rëndësishëm për komunitetin.
Në fjalën e tij, kryetari Muharremaj uroi të gjithë nxënësit dhe të rinjtë e fshatit për këtë sallë të re sportive, e cila pritet të ketë të gjitha kapacitetet e nevojshme për zhvillimin e sporteve të ndryshme. Ai theksoi se ndërtimi i saj është tërësisht i financuar nga Komuna e Suharekës dhe do të jetë në shërbim të nxënësve dhe të rinjve të fshatit.
Banorët e Bukoshit mirëpritën me entuziazëm këtë projekt, duke e cilësuar si të domosdoshëm për fëmijët dhe të rinjtë e zonës. Ata falënderuan kryetarin Muharremaj dhe Komunën për investimin e realizuar në këtë sallë moderne.
Gjithashtu, edhe drejtori i Arsimit në Komunën e Suharekës, z. Remzi Bajselmani, i uroi nxënësit për fillimin e punimeve dhe theksoi se kjo sallë do t’u krijojë kushte të favorshme për zhvillimin e aktiviteteve sportive. Sipas tij, objekti pritet të përfundojë brenda një periudhe të shkurtër kohore.





Lini një Përgjigje