Në Suharekë është mbajtur një akademi përkujtimore me rastin e 30-vjetorit të rënies heroike të Heroit të Kombit, Besim Ndrecaj. Aktiviteti u organizua nga Komuna e Suharekës, nën patronatin e Kryetarit të Komunës, z. Bali Muharremaj.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin bashkëluftëtarë, familjarë, përfaqësues të institucioneve dhe struktura të larta politike të Kosovës.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari Muharremaj vlerësoi lart figurën e heroit Besim Ndrecaj, duke e cilësuar atë si simbol të sakrificës dhe trimërisë në një nga periudhat më të vështira për shqiptarët e Kosovës. “Vepra dhe heroizmi i Besim Ndrecajt kanë shërbyer si frymëzim dhe udhërrëfyes për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Falë guximit të tij dhe të shumë dëshmorëve të tjerë, sot gëzojmë lirinë dhe demokracinë në vendin tonë,” u shpreh Muharremaj.
Në këtë akademi, fjalën e mori edhe ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rajonin e Dukagjinit dhe ish-kryeministri i Kosovës, z. Ramush Haradinaj. Ai vlerësoi lartë heroizmin e jashtëzakonshëm të Besim Ndrecajt, duke theksuar se ai mbrojti me dinjitet, moral dhe atdhedashuri vlerat më të shenjta të kombit, duke sakrifikuar jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Në shenjë nderimi, z. Haradinaj i dorëzoi familjes së heroit medaljen “Me besim në Zot, atdhe e Shtet”
“Besim Ndrecaj ishte shembulli i luftëtarit të pamposhtur, që nuk u tremb asnjëherë përballë armikut. Ai ishte dhe mbetet një frymëzim i përhershëm për të gjithë ne,” u tha në akademi.
Në përfundim të ceremonisë, pjesëmarrësit vendosën lule dhe bënë homazhe pranë shtatores së heroit në Sheshin “Besim Ndrecaj” në Suharekë.
Lavdi përjetë Besim Ndrecajt dhe të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës!






Lini një Përgjigje