Kryetari Muharremaj takon ish të burgosurit politik nga Komuna e Suharekës

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka takuar sot në mëngjes disa nga ish të burgosurit politik, të cilët gjatë luftës së fundit në Kosovë kanë vuajtur dënimin në Burgun e Dubravës, ku edhe kanë përjetuar masakrën famëkeqe të kryer aty.

Gjatë takimit, kryetari Muharremaj theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës kolektive dhe nderimit të sakrificës së të burgosurve politik. Ai u shpreh:

“Sot përkujtojmë një nga ngjarjet më të dhimbshme të historisë sonë – masakrën në Burgun e Dubravës. Kontributi i këtyre burrave për lirinë e vendit është i pamatshëm. Ne duhet ta nderojmë këtë kontribut dhe të përkulemi me respekt të thellë për të gjithë të rënët – si nga komuna jonë, ashtu edhe nga e gjithë Kosova.”

Takime të tilla janë dëshmi e përkushtimit institucional për të mos harruar të kaluarën dhe për të vlerësuar ata që sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit.