Kryetari i Komunës së Suharekës, z. Bali Muharremaj, ka bërë të ditur se janë nënshkruar 50 kontrata me 50 fermerë të kësaj komune për ndërtimin e serave bujqësore.
Lajmi është bërë publik nga vetë kryetari Muharremaj përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, ku shprehu falënderimet e tij për organizatën Qatar Charity, si dhe për Drejtorinë e Bujqësisë në Komunën e Suharekës, të cilët kanë mundësuar realizimin e këtij projekti.
Sipas njoftimit, Drejtoria e Bujqësisë do të jetë bashkëfinancuese e këtij projekti së bashku me Qatar Charity-n dhe vetë fermerët, të cilët do të kontribuojnë me 20% të kostos për ndërtimin e serave.
Të gjitha kontratat janë lidhur me fermerët që kanë plotësuar kriteret e përcaktuara në thirrjen publike për aplikim. Ky projekt synon të përkrahë zhvillimin e bujqësisë dhe fuqizimin e fermerëve lokalë.
Komuna e Suharekës dhe Drejtoria e Bujqësisë kanë konfirmuar se do të vazhdojnë mbështetjen për fermerët edhe në të ardhmen, në fusha të ndryshme të bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Lini një Përgjigje