Kanë filluar takimet me qytetarët e Komunës së Suharekës për Kornizën Afatmesme Buxhetore 2026–2028

Komuna e Suharekës ka nisur takimet konsultative me qytetarët për hartimin e Kornizës Afatmesme Buxhetore për vitet 2026–2028. Takimet e para u zhvilluan dje në fshatrat Bllac, Shllapuzhan, Javor dhe Luzhnic.

Pjesëmarrja e qytetarëve në këto takime ishte e kënaqshme, ku ata paraqitën kërkesat dhe propozimet e tyre lidhur me investimet e nevojshme në komunitetet përkatëse. Përfaqësuesit e Komunës i garantuan qytetarët se të gjitha kërkesat do të shqyrtohen me kujdes dhe do të merren parasysh gjatë përgatitjes së dokumentit final të Kornizës Buxhetore.

Në këto takime mori pjesë edhe kryetari i Komunës, z. Bali Muharremaj, i cili theksoi rëndësinë e përfshirjes së drejtpërdrejtë të qytetarëve në procesin e planifikimit buxhetor. “Përfshirja e qytetarëve me idetë dhe kërkesat e tyre është thelbësore, sepse vetëm kështu mund të ndërtojmë projekte që reflektojnë realisht nevojat në terren,” u shpreh z. Muharremaj.

Ai shtoi se të gjitha kërkesat do të shqyrtohen me seriozitet dhe do të synohet realizimi i tyre, në mënyrë që jetesa e qytetarëve të përmirësohet dhe të lehtësohet në përputhje me mundësitë buxhetore.

Të gjitha propozimet e paraqitura janë regjistruar në procesverbal dhe do të publikohen në faqen zyrtare të Komunës. Ato do të shërbejnë si bazë gjatë hartimit të listës së projekteve të planifikuara për vitet në vijim.