Iu dha lamtumira e fundit heroines kundër kancerit, Fitore Zenelaj

Të enjten pasdite, iu dha lamtumira e fundit, Fitore Zenelaj, njëres nga luftëtaret më të mëdha të kancerit, e cila ndërroi jetë në moshë të re.

Familjarë, qindra banorë të fshatit Savrovë nga komuna e Suharekës, miq të të ndjeres, Fitore Zenelaj dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme, ia dhanë lamtumiren e fundit heroinës që pas diagnostikimit me kancer, deri në momentet e fundit të jetës së saj, luftoi kundër sëmundjes së rrezikshme, e cila për fat të keq e mposhti në moshën 33 vjeçare. Imami i xhamisë në Suharekë, Driton Salihu, flet për virtyte të larta njerëzore e humane që posedonte e ndjera, të cilen e kishte njohur që në moshën 11 vjeçare të saj.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Albana Bytyçi, e kujtoi me mall shoqen e saj të ngushtë, e cila ishte një nga gratë më të forta jo vetëm nga Suhareka, e cila deri në frymën e fundit luftoi me sëmundjen, por edhe duke qenë shembull edhe për gratë tjera në parandalimin dhe luftimin e sëmundjes së rrezikshme.

Në emër të familjes, para arkivolit të të ndjeres, ka folur Edita Zenelaj, e cila tha se gruaja e xhaxhait të saj, ishte një heroinë e vërtet e cila pas vetes la vepra të cilat do të jenë udhërrëfyes edhe për shumë gjenerata të tjera. Fitore Zenelaj, për katër vite rresht pa u dorëzuar për asnjë moment, luftoi kundër sëmundjes së rëndë, nga e cila ndërroi jetë para dy ditëve gjatë trajtimit në Francë.

Ajo pas vetes, ka lënë bashkëshortin dhe tre vajza të reja.