Çka janë sistemet e alarmimit publik?

Lëshimi i sirenës së alarmimit publik në Prishtinë, testim i gatishmërisë apo moment konfuziteti për qytetarët?

Sistemet e alarmimit publik u ofrojnë zyrtarëve një mënyrë efektive për të paralajmëruar publikun për emergjencat serioze në kohën e duhur.

Komuna e Prishtinës ka disa vite që e bënë vazhdimisht testimin e sirenës së alarmimit Publik.

Këtë radhë ajo e paska bërë testimin sipas metodës *”Alarm i heshtur”

Alarmi është lëshuar nga ora 12:05 me zë të një trajtshëm, dy herë nga 30 sekonda.

Pyetja tani shtrohet, cili qytetar Prishtinas apo cili vendimmarrës komunal e kupton dhe di të na e spjegoi se çka don të thotë “alarm i heshtur” dhe zë i një trajtshëm dhe dy herë nga 30 sekonda, është ky testim sirene, lloj i rrezikut apo tek e fundit si duhet të veprojnë vendimmarrësit, reaguesit, dhe ku duhet të strehohen banorët e kryeqytetit dhe ata jo rezidentë, kur e ndëgjojnë këtë sirenë alarmimi?

Çka janë sistemet e alarmimit publik?

Sistemet e alarmimit publik duhet të lajmërojnë dhe informojnë të gjithë qytetarët që janë të kërcënuar nga një rrezik me qëllimin përfundimtar që t’u mundësojë atyre të përgatiten dhe të veprojnë në kohën e duhur për të zvogëluar ndikimin e rrezikut. Kjo nënkupton që sistemet e aplikuara për alarmimin publik duhet të lajmërojnë popullatën e synuar, por edhe t’u ofrojnë atyre informacion të mjaftueshëm në mënyrë të kuptueshme. Efektiviteti i sistemeve të paralajmërimit publik për të arritur këtë qëllim varet shumë nga kanalet e komunikimit që aplikohen, pasi sisteme të ndryshme komunikimi kanë aftësi të pabarabarta për të përmbushur të gjitha kërkesat e paralajmërimit publik dhe diversiteti kërkohet për të arritur maksimumin e njerëzve në rrezik. Në fakt, efektiviteti i një sistemi paralajmërues publik në tërësi mund të përmirësohet ndjeshëm duke kombinuar disa teknologji në një qasje me shumë kanale.

Para disa vitesh isha pjesëmarrës në një diskutim ku duhej të merrej vendimi për funksionalizimin e kësaj sirene alarmimi e cila gjendet në objektin e ish pallatit te Rilindjes në Prishtinë.

Argumentet që i jepnin vendimmarresit për rregullimin e kësaj sirene (pasi ishte e prishur) dhe aktivizimin e sajë, ishin thjeshtë arsyetime jo të bazuara në aspektin praktik të paralajmërimit të hershëm. E para Kosova në aspektin ligjor dhe rregullativ e ka të rregulluar çështjen e alarmimit publik si sistem unik, për vendosjen e të cilit në nivel vendi është përgjegjëse Ministria e Punëve të Brendshme.

E dyta sirena që gjendej në atë ndërtesë nuk ishte në harmoni dhe nuk i plotësonte kushtet ligjore dhe të rregullores qeveritare sepse ishte e trashëguar nga ish sistemi dhe ajo që ishte më e rëndësishme, ishte efekti kontraproduktiv që mund të prodhonte aktivizimi i kësaj sirene. Nuk ka efektivitet asnjë lloj sistemi apo sirene nëse paraprakisht nuk janë njoftuar, qytetarët jo vetem ata të kryeqytetit, por edhe ata në tërë Kosovën me llojin e tingullit dhe kohëzgjatjen e zërit të sirenës, për ta ditur dhe kuptuar se për çfarë lloj rreziku bëhet fjalë apo është vetëm testim i sistemit. Në të dyja rastet edhe kur alarmimi bëhet për testim apo për raste rreziku, ky alarmim nuk ka kuptim pa senzibilizimin, njohjen, edukimin dhe trajnimin e qytetarëve, për një kohë të gjatë, për kuptimin e sistemit të alarmimit publik e sidomos nuk preferohet pa hartimin dhe ushtrimin e planeve për evakuim dhe strehim, pa caktimin dhe përgatitjen e strehimoreve ku do të strehoheshin qytetarët në raste rreziku. Prandaj ky alarmim si tillē është i pakuptueshëm, i panevojshëm dhe kur të aktivizohet mund të sjell dëmtime dhe lëndime të qytetarëve, frikë dhe paqartësi ose thjesht inferioritet, për qytetarët të cilët për fatin e mirë tani më e marrin këtë alarmim si diçka të zakonshëm, thjesht si ezanin nga xhamitë dhe sikurse kumbimin e këmbanës së kishës.

Komuna e Prishtines do të ishte mirë që ta ndalonte këtë praktikë te pa efekt dhe të panevojshme, kurse Ministria e Punëve të Brendshme sa më shpejt të filloi punët për vendosjen dhe shtrirjen e një sistemi të alarmimit publik me shumë kanale dhe unik në tërë Republikën e Kosovës!

*”Alarmi i heshtur” është një metodë e fshehtë që mund të shkaktojë një alarm pa bërë asnjë zhurmë apo shenjë të dukshme. Kjo e bën jashtëzakonisht të vështirë që reaguesit të vërejnë se alarmi është aktivizuar.

Shkruan: Prof. Mr. Hajriz Sejdiu, Ekspert i Menaxhimit të Emergjencave