Blerim Kuçi zyrtarizon mbështetjen për Ardian Shalën dhe LDK-në në Suharekë

Sot në orët e pasdites, Blerim Kuçi zyrtarizoi publikisht mbështetjen e tij për kandidatin Ardian Shala dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) në Komunën e Suharekës.

Ceremonia u mbajt në prani të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë fjalimit të tij, Kuqi theksoi se përkrahja e tij vjen pas një analize të thellë për të ardhmen e komunës dhe nevojës për një vizion të qartë, stabilitet dhe zhvillim.

Ai shtoi se Ardian Shala përfaqëson një qasje serioze dhe të përgjegjshme në raport me qytetarët dhe se bashkë me ekipin e tij janë të përgatitur për të sjellë ndryshimin që Suhareka ka nevojë.

Ndryshe, Kuçi, i cili në vitin 2009 u largua nga LDK për t’iu bashkuar Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), u mandatuar atë vit si kandidat për kryetar të Komunës së Suharekës nga radhët e AAK-së, ku edhe doli fitues përballë kandidatit të LDK-së, z. Sali Asllanaj.

Gjatë mandatit të tij si kryetar komune (2009–2013), LDK në Suharekë ka shprehur vazhdimisht pakënaqësi ndaj qeverisjes së tij, duke ngritur edhe akuza për keqqeverisje. Edhe pas përfundimit të mandatit të tij, akuzat dhe kritikat nga dega lokale e LDK-së nuk u ndalën, duke e cilësuar Kuçin si “uzurpator të Komunës së Suharekës”.

Në gjithë këto vite qeverisje të AAK-së në këtë komunë, Kuçi është përballur me kritika të vazhdueshme, veçanërisht për projektin e sheshit të qytetit, për të cilin LDK e ka akuzuar për punime të dobëta dhe menaxhim të paefikas.

Një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Kuçit ka qenë edhe kryetari aktual i Suharekës, z. Bali Muharremaj, të cilin Kuçi e ka vlerësuar si “kryetari më punëtor dhe menaxheri më i mirë që ka pasur Kosova ndonjëherë”.

Megjithatë, përkundër historisë së gjatë të përplasjes politike, sot Kuçi vendosi të mbështesë Ardian Shalën – një figurë që në të kaluarën ka qenë një nga kritikët më të ashpër të tij. Shala, në disa deklarata publike, e ka akuzuar Kuçin për ndërhyrje në administratën komunale, punësime partiake dhe përfitime nga tenderi i sheshit të qytetit, duke theksuar se “Blerim Kuçi dhe kompania e tij po e shkatërrojnë Suharekën”.

Mbetet të shihet se si do të bashkëpunojnë tashmë këta dy ish-kundërshtarë të fortë politik në një front të përbashkët.