Arti që edukon, frymëzon dhe bashkon – murali i ri në shkollën fillore në Nishor

Në një iniciativë të mrekullueshme artistike dhe edukative, në shkollën fillore “Bajram Curri” në Nishor të Suharekës është realizuar një mural i veçantë që solli gjallëri dhe ngrohtësi në ambientin shkollor.

Kjo vepër arti është rezultat i bashkëpunimit mes mësueses së artit, znj. Donjeta Kabashi, nxënësve të ateliesë “Blerta Art Atele” dhe nxënësve të kësaj shkolle, të cilët me përkushtim dhe kreativitet krijuan një imazh të jashtëzakonshëm në murin e shkollës.

Znj. Donjeta Kabashi, një artiste dhe mësuese e përkushtuar në Suharekë, u shpreh se ky mural është një vepër që do të jetojë gjatë në kujtesën dhe muret e shkollës:

“Ky projekt u realizua me sukses falë bashkëpunimit të ndërsjellë dhe pasionit të madh për artin. Puna e bërë me dashuri është gjithmonë e palodhshme.”

Ajo gjithashtu falënderoi nga zemra nxënësit, stafin mësimdhënës, drejtorin Lulzim Bytyqi dhe punëtorët teknikë për mbështetjen dhe gatishmërinë e treguar gjatë gjithë këtij aktiviteti artistik.

Ky mural nuk është vetëm një zbukurim estetik, por edhe një dëshmi e fuqisë së artit për të edukuar, frymëzuar dhe bashkuar komunitetin shkollor.