𝐍𝐞̈ 𝐌𝐢𝐧𝐢𝐬𝐭𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐞 𝐌𝐛𝐫𝐨𝐣𝐭𝐣𝐞𝐬 𝐮 𝐳𝐡𝐯𝐢𝐥𝐥𝐮𝐚 𝐜𝐞𝐫𝐞𝐦𝐨𝐧𝐢𝐚 𝐞 𝐩𝐞𝐧𝐬𝐢𝐨𝐧𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐠𝐣𝐞𝐧𝐞𝐫𝐚𝐥 𝐦𝐚𝐣𝐨𝐫 𝐆𝐞𝐳𝐢𝐦 𝐇𝐚𝐳𝐫𝐨𝐥𝐥𝐢𝐭

Në Ministrinë e Mbrojtjes u mbajt ceremonia solemne e pensionimit të gjeneral major Gezim Hazrollit, drejtor i Drejtorisë së Inteligjencës.

Me këtë rast, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i ndau mirënjohjen për kontributin dhe profesionalizmin gjatë viteve të shërbimit të tij dhe e falënderoi për angazhimin dhe përmbushjen me sukses të misionit të tij, duke theksuar rolin e tij në zhvillimin dhe organizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Më pas, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, e nderoi atë me Medaljen e Karrierës për performancë të dalluar dhe përfundim të suksesshëm të karrierës së tij. Ky vlerësim pasqyron përkushtimin dhe profesionalizmin e tij në avancimin e kapaciteteve të mbrojtjes dhe sigurisë.

Në ceremoninë e pensionimit, po ashtu morën pjesë të ftuar tjerë, duke përfshirë zëvendësministrin e Mbrojtjes, Shemsi Syla, zëvendëskomandantin e FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, sekretarin e Përgjithshëm të MM-së, Gafurr Dugolli, inspektoren gjenerale të MM-së, gjeneralmajor Irfete Spahiu, këshilltarin ushtarak të presidentes, gjeneral brigade Sefer Isufi, drejtorin e Ekipit Këshillimor dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), gjeneral brigade Sven Lange, si dhe oficerë, nënoficerë dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, të cilët e falënderuan për punën e palodhur dhe përkushtimin e tij të gjatë në shërbim të mbrojtjes dhe sigurisë së vendit.

Në këtë moment të rëndësishëm, ai mori urime të sinqerta për suksese në sferat e tjera të rrugëtimit të tij jetësor, duke lënë pas një trashëgimi të fortë dhe të çmuar për institucionet e mbrojtjes së Kosovës.