KV Theranda-F shpallet kampione pa asnjë humbje dhe rikthehet fuqishëm në Superligë /

KV Theranda-F ka kurorëzuar një sezon të jashtëzakonshëm duke u shpallur Kampione e Ligës së Parë, pas një fitoreje bindëse 3-0 në finale ndaj KV Malishevës (25-16; 25-19; 25-8), në një ndeshje ku epërsia ishte e padiskutueshme nga fillimi deri në fund.

Skuadra nga Theranda mbyll kampionatin me bilanc perfekt prej 18 ndeshjesh dhe 18 fitoresh, duke dëshmuar dominim të plotë dhe duke siguruar me meritë rikthimin në Superligë. Gjatë gjithë sezonit, ekipi u dallua për organizim të lartë, disiplinë taktike dhe shpirt të fortë garues.

Ky triumf përfaqëson kulmin e një pune të madhe, sakrifice dhe përkushtimi maksimal nga lojtaret dhe stafi, duke e bërë KV Theranda-F kampione të padiskutueshme dhe një ndër skuadrat më të forta të këtij edicioni.