Kryetari Muharremaj përkujton Ramë Bllacën në 88-vjetorin e ndarjes nga jeta /

Në 88-vjetorin e ndarjes nga jeta të Ramë Bllacës, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka nderuar figurën dhe veprimtarinë e këtij personaliteti të shquar të historisë kombëtare.

“Ramë Bllaca është personalitet i rrallë në historinë tonë. Gjithmonë do ta nderojmë veprimtarinë e tij historike dhe me përkushtim do t’u tregojmë brezave se ruajmë respektin për të kaluarën tonë”, ka deklaruar kryetari Muharremaj.

Kush ishte Ramë Bllaca?

Ramë Bllaca (1879–1937), i lindur në fshatin Bllacë të Suharekës, mbetet një nga emrat më të rëndësishëm të fillimit të shekullit XX. Ai shërbeu si deputet i Xhemijetit në parlamentin jugosllav, duke përfaqësuar interesat e shqiptarëve në një kohë të vështirë politike.

I njohur për qëndrimet e tij të palëkundura, Bllaca refuzoi të firmoste marrëveshjen për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, duke dëshmuar guxim dhe besnikëri ndaj tokës dhe identitetit kombëtar.

Trashëgimia e tij patriotike u përcoll edhe tek i biri, Qazim Bllaca, i cili më vonë shërbeu si ministër në qeverinë e kryeministrit Ibrahim Mitrovica.

Ramë Bllaca mbetet një figurë e paharruar e historisë sonë – simbol i vendosmërisë për të mos bërë kompromise në dëm të kombit.