Kryetari i Komunës së Suharekës, z. Bali Muharremaj, ka realizuar një vizitë pune në disa lokacione dhe fshatra të komunës për të inspektuar nga afër punimet që po zhvillohen në terren.
Në fshatin Sallagrazhdë, kryetari Muharremaj ka parë nga afër punimet që po bëhen në sanimin dhe rregullimin e rrugëve lokale, të cilat kanë filluar ditët e fundit. Këto ndërhyrje po realizohen me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës rrugore dhe lehtësimit të qarkullimit për banorët e zonës.
Po ashtu, një tjetër ndalesë e rëndësishme ishte në fshatin Mushtisht, ku aktualisht janë duke u zhvilluar punime për ndërtimin e rrjetit të kanalizimit në disa zona të fshatit. Ky projekt është pjesë e investimeve kapitale për përmirësimin e kushteve higjieno-sanitare dhe jetës së përditshme të qytetarëve.
“Për të pasur më shumë përgjegjësi dhe për të qenë sa më afër qytetarëve, unë çdo ditë jam në terren për të inspektuar punimet që zhvillohen në fshatra dhe lagje të ndryshme të komunës sonë,” theksoi kryetari i Komunës, z. Bali Muharremaj, në një prononcim për Radio Vala.
Ai gjithashtu shtoi se Komuna e Suharekës ka në plan edhe shumë projekte të tjera infrastrukturore që do të nisin në ditët dhe javët në vijim. “Kemi projekte të shumta që janë në pritje të fillimit, kryesisht në mirëmbajtje dhe sanime rrugësh, kanalizime dhe projekte të tjera që ndërlidhen me jetën e qytetarëve,” u shpreh Muharremaj.
Këto inspektime dhe angazhimi i përditshëm i kryetarit janë një dëshmi e përkushtimit institucional për zhvillimin e qëndrueshëm dhe baraspeshuar të të gjitha pjesëve të Komunës së Suharekës.
Lini një Përgjigje