Në orët e pasdites, një zjarr i madh ka përfshirë zonën në mes të Dubravës dhe Mushtishtit, duke rrezikuar hapësira të gjëra me bimësi e pyje. Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë ekipet e zjarrfikësve të Suharekës, Policia e Kosovës, si dhe Kryetari i Komunës, z. Bali Muharremaj.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryetari Muharremaj ka bërë thirrje publike për ndihmë, duke ftuar të gjithë qytetarët që posedojnë mjete apo pajisje për shuarje zjarri, të kontribuojnë në zonën Dubravë – Sallagrazhdë – Mushtisht, ku zjarri po përhapet me shpejtësi për shkak të kushteve atmosferike.
“Kushdo që ka mundësi dhe pajisje për shuarje të zjarrit, le të ndihmojë. Solidariteti ynë sot është i domosdoshëm për ta mbrojtur natyrën dhe pasuritë tona,” – thuhet në thirrjen e Kryetarit Muharremaj.
Autoritetet janë në terren dhe po punojnë me intensitet për vënien nën kontroll të zjarrit, ndërsa bashkëpunimi i qytetarëve është i mirëpritur dhe i nevojshëm në këtë situatë emergjente.
Lini një Përgjigje