Kërkesë për bashkëpunim me qytetarë – Raportohet zhdukja e një të miture nga Rahoveci /

Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë Rajonale në Gjakovë, ka njoftuar opinionin publik për zhdukjen e një vajze të mitur nga komuna e Rahovec.

Sipas njoftimit zyrtar, është raportuar zhdukja e 14-vjeçares Alisiana Bekim Shala, për të cilën familjarët nuk kanë asnjë informacion mbi vendndodhjen e saj që nga muaji nëntor 2025.

Që nga dita e raportimit, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka ndërmarrë veprime intensive operative dhe hetimore me qëllim të lokalizimit të saj, por deri më tani ajo ende nuk është gjetur.

Me qëllim që të përshpejtohet gjetja e saj, Policia e Kosovës kërkon bashkëpunimin e qytetarëve dhe mediave.

Të gjithë ata që kanë ndonjë informacion që mund të ndihmojë në gjetjen e saj, lusen të kontaktojnë menjëherë në numrin pa pagesë 192 ose të paraqiten në stacionin më të afërt policor.