Kapiteni Gëzim Morina vazhdon me Golden Eagle Ylli edhe tri vite të tjera

Klubi i basketbollit Golden Eagle Ylli ka konfirmuar zyrtarisht se kapiteni i skuadrës, Gëzim Morina, do të vazhdojë të jetë pjesë e “Yllit” edhe tri sezone të ardhshme, duke forcuar më tej stabilitetin dhe ambiciet e klubit për sukses.

Në njoftimin zyrtar të publikuar nga faqja e klubit thuhet:

“Kapiteni Gëzim Morina vazhdon me klubin edhe për 3 vite të tjera. Së bashku, drejt sukseseve!”

Gëzim Morina, i cili është një ndër figurat më të dashura dhe më përfaqësuese të klubit, gjatë sezonit të kaluar u përball me një lëndim që ndikoi në mos pjesëmarrjen e tij në disa ndeshje. Për momentin, ai po vijon rikuperimin në Slloveni dhe, sipas burimeve zyrtare, pritet të jetë plotësisht i gatshëm për sezonin 2025/2026. Ai vetë ka konfirmuar se do të kthehet më i përgatitur se kurrë, duke theksuar përkushtimin e tij për të dhënë maksimumin me fanellën e “Yllit”.

Kjo marrëveshje vjen në një moment të rëndësishëm për klubin, i cili këtë vit shënon 50-vjetorin e themelimit. Drejtuesit e Golden Eagle Yllit kanë paralajmëruar se në kuadër të kësaj ngjarjeje do të ketë edhe ndryshime dhe përforcime të tjera në përbërjen e ekipit, të cilat pritet të bëhen publike në ditët në vijim.

Me rinovimin e Morinës dhe projektet ambicioze të klubit, tifozët “Xhebrailat” kanë arsye të forta për të pritur një sezon të ri plot emocione dhe suksese.