Hapet zyrtarisht fushata e PDK-së në Suharekë

Në Suharekë, është hapur zyrtarisht fushata zgjedhore e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Në këtë aktivitet morën pjesë kandidatët për deputetë, të cilët nisën zyrtarisht rrugëtimin elektoral drejt zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Në hapjen e fushatës ishin të pranishëm edhe kandidatët për deputetë Enver Hoxhaj dhe Arben Gega, të cilët theksuan unitetin dhe vizionin politik të PDK-së për të ardhmen e vendit. Organizatorët vlerësuan pjesëmarrjen dhe përkrahjen e madhe të qytetarëve, duke e cilësuar atë si një tregues besimi dhe mobilizimi politik.

Sipas përfaqësuesve të PDK-së, entuziazmi i treguar nga qytetarët shihet si sinjal pozitiv në prag të zgjedhjeve, ndërsa u theksua angazhimi për një fushatë aktive dhe gjithëpërfshirëse, me synim forcimin e zhvillimit, drejtësisë dhe mirëqenies për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Fushata do të vazhdojë nesër me një tubim më të madh në palestrën “Sezai Surroi” në Suharekë, ku pritet të shpaloset programi qeverisës nga kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza. Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive, duke theksuar rëndësinë e këtij tubimi në vazhdën e aktiviteteve zgjedhore.