Në vendin e njohur si “Gurra e Kadis”, ku ndahen kufijtë natyrorë mes Komunës së Suharekës dhe asaj të Ferizajt, sot është përuar zyrtarisht projekti i rregullimit të kësaj pike simbolike dhe natyrore.
Kryetari i Komunës së Suharekës, z. Bali Muharremaj, së bashku me Kryetarin e Komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu, inauguruan projektin, i cili shërben si një hapësirë relaksi dhe takimi për qytetarët e të dy komunave, duke ofruar një ambient të bukur natyror për vizitorë e kalimtarë.
Në fjalën e tij, kryetari Muharremaj u shpreh:
“Sot, bashkë me mikun tim, kryetarin e Ferizajt, Agim Aliu, po përurojmë një projekt të veçantë që përveçse bashkon dy komuna, ruan edhe vlerat tona historike dhe natyrore. Kjo zonë tashmë do të jetë një vend i vizitueshëm për të gjithë.”
Ndërkaq, kryetari Aliu falënderoi përzemërsisht mikpritjen dhe bashkëpunimin:
“Dua të falënderoj mikun tim, kryetarin Bali Muharremaj, për këtë iniciativë të jashtëzakonshme që i afron edhe më shumë dy komunat tona. Kemi lidhje të forta shoqërore dhe familjare mes qytetarëve tanë, dhe ky projekt është simbol i kësaj afërsie.”
Projekti është mbështetur financiarisht nga Komuna e Suharekës dhe po ashtu do të mirëmbahen nga kjo komunë, duke garantuar që ambienti të ruhet dhe zhvillohet më tej.









Lini një Përgjigje