Golden Eagle Ylli godet fuqishëm në 50-vjetor – zyrtarizon trajnerin e njohur Fotis Takianos

Klubi i basketbollit Golden Eagle Ylli nuk ndalet me surpriza! Në vitin jubilar, kur feston 50 vjet histori, klubi nga Theranda ka bërë një hap madhor drejt një epoke të re: ka zyrtarizuar marrëveshjen me trajnerin e mirënjohur Fotis Takianos, i cili do të udhëheq ekipin në sezonin 2025/2026.

Lajmi u bë i ditur nga presidenti i klubit, Shaqir Palushi, përmes një postimi emocionues në rrjetet sociale, ku ai theksoi rëndësinë historike të këtij momenti:

Golden Eagle Ylli – 50 Vjet Histori dhe Një Fillim i Ri. Në këtë përvjetor të artë, po përjetojmë një nga momentet më të ndritura në historinë e klubit tonë. Puna, përkushtimi dhe mbështetja e pandalshme e komunitetit na kanë sjellë këtu – me krenari për të kaluarën dhe me vizion të qartë për të ardhmen.”

Emri i Fotis Takianos nuk është i panjohur për adhuruesit e basketbollit në Kosovë. Me një karrierë të pasur dhe përvojë të dëshmuar, ardhja e tij shihet si një përforcim strategjik dhe sinjal i qartë se Golden Eagle Ylli ka ambicie serioze për tituj dhe suksese ndërkombëtare.

Ky emërim i fuqishëm vjen në një kohë kur klubi po ndërton themelet për një dekadë të re suksesi, duke u bazuar në profesionalizëm, investim dhe pasion për lojën.

🏀 Ylli ka folur – dhe ka goditur fort!