FC Ballkani emëron kroatin Mislav Karoglan trajner të ri, i pari trajner i huaj në historinë e klubit /

FC Ballkani ka zyrtarizuar sot emërimin e kroatit Mislav Karoglan si trajner të ri të skuadrës, duke shënuar një moment historik për klubin – ai bëhet trajneri i parë i huaj që drejton kampionët e Kosovës. Kontrata e tij me klubin është nënshkruar për dy vjet e gjysmë.

Karoglan, 43 vjeç, vjen në Suharekë me një përvojë të gjerë në futbollin evropian. Ai ka qenë kryetrajner i klubit të njohur kroat Hajduk Split në dy periudha, përfshirë sezonin 2023–24. Në edicionin 2024–25 ai drejtoi klubin kampion të Moldavisë, Sheriff Tiraspol, me të cilin garoi edhe në arenën ndërkombëtare.

Përpara këtyre angazhimeve, Karoglan ka udhëhequr edhe skuadra të tjera të elitës kroate, si Zadar dhe Istra 1961, duke ndërtuar një reputacion të fortë si trajner modern, taktikisht i përgatitur dhe i orientuar drejt zhvillimit të skuadrave konkurruese.

FC Ballkani i uron trajnerit Karoglan mirëseardhje, shumë suksese dhe sa më shumë rezultate pozitive në krye të ekipit. Klubi beson se puna, energjia dhe profesionalizmi i tij do të sjellin një dimension të ri në zhvillimin e skuadrës portokalli.