Enkela Voci, 17-vjeçarja nga Suhareka, transferohet në njërin nga kampionatet më të forta evropiane

Talenti i volejbollit nga Suhareka, Enkela Voci, vetëm 17 vjeçe, ka bërë një hap të madh në karrierën e saj sportive. Ish-lojtare e KV Gjinoci dhe një nga lojtaret kryesore të përfaqësueses së Kosovës, Enkela tashmë është bërë pjesë e klubit turk Kuzeyboru Spor Kulübü, që garon në Ligën e Parë të Turqisë, një ndër kampionatet më të forta të volejbollit në Evropë.

Me një gjatësi prej 184 cm dhe pozicionin e pasores, Enkela është vlerësuar si një prej talenteve më premtuese të volejbollit kosovar. Angazhimi i saj në arenën ndërkombëtare është jo vetëm një arritje personale, por edhe një moment krenarie për sportin në Kosovë, veçanërisht për qytetin e Suharekës që po vazhdon të prodhojë sportistë cilësorë.

Transferimi i saj është bërë zyrtar nga klubi turk, i cili ka theksuar se synon të forcojë infrastrukturën me sportiste të reja dhe premtuese si Enkela. Ky hap i rëndësishëm i saj përfaqëson një mundësi të artë për të zhvilluar më tej talentin në një ambient profesional dhe konkurrues.