Elmaze Bytyqi jashtë listës së LDK-së pas 4 mandateve – Reagon asambleistja më e votuar në Suharekë

Elmaze Bytyqi, njëra nga asambleistet më të votuara në historinë e Komunës së Suharekës dhe pjesë e Asamblesë për plot katër mandate rresht, nuk do të jetë pjesë e listës së LDK-së për zgjedhjet lokale të këtij viti.

Në një reagim publik, Bytyqi ka shprehur mirënjohje për qytetarët që e kanë mbështetur ndër vite, por edhe keqardhje për vendimin e kryesisë së LDK-së që e la jashtë listës, pa ndonjë sqarim zyrtar.

“Ka qenë një nder i jashtëzakonshëm për mua që për katër mandate me radhë të jem pjesë e Asamblesë Komunale të Suharekës. Mbështetja dhe besimi juaj ndër vite kanë qenë forca ime më e madhe,” ka shkruar ajo.

Përkundër kësaj, Elmaze Bytyqi thekson se nuk do të tërhiqet nga angazhimi politik dhe publik, duke paralajmëruar rikthim në strukturat e partisë, por edhe duke denoncuar hapur disa individë që, sipas saj, kanë punuar kundër kandidimit të saj:

Me shpresë se nuk do t’i gjej më disa kalkulantë që ishin kundër kandidimit tim, sepse fitorja ime ju pengonte,” shkruan ajo, duke nënvizuar se ka pasur ftesa dhe oferta bashkëpunimi edhe nga parti të tjera politike.

Deklarata e saj ka shkaktuar reagime të ndryshme në opinionin publik dhe brenda LDK-së në Suharekë, duke rihapur debatin mbi mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve dhe respektimin e figurave me kontribut afatgjatë në jetën politike lokale.