Ndërmarrja komunale “Eko Theranda”, tashmë ka marrë për sipër mirëmbajtjen e të gjithë territorit të Komunës së Suharekës. Krahas pastrimit të qytetit nga mbeturinat, ujitjes së luleve dhe pastrimit të rrugëve kryesore, kjo ndërmarrje ka filluar të kujdeset edhe për rrugët nëpër lagje dhe ato kryesore në fshatra.
Në një video të shpërndarë nga Kryetari i Komunës, z. Bali Muharremaj, theksohet se kjo kompani po e rrit kapacitetin e saj dita-ditës. Ai deklaroi për Radio Vala:
“Jemi në lagjen Shirokë, në rrugën që lidh qytetin me fshatin Leshan. Kompania ‘Eko Theranda’ është duke punuar intensivisht në pastrimin e zonave të gjelbra përreth rrugës kryesore, mbledhjen e mbeturinave dhe largimin e barit të thatë për të parandaluar rrezikun e zjarreve në këto ditë të nxehta.”
Më tej, Kryetari Muharremaj theksoi se kjo ndërmarrje, e cila është 100% në pronësi të Komunës, do të vazhdojë të zgjerojë kapacitetet e saj gjatë këtij gjysmëviti, duke ofruar mundësi të reja punësimi dhe duke përmirësuar më tej shërbimet publike për qytetarët e Suharekës.
Lini një Përgjigje