Suharekë, 3 korrik 2025 – Ndërmarrja publike EKO THERANDA, e themeluar si ndërmarrje komunale me 100% aksione të Komunës së Suharekës, ka nisur me intensifikimin e aktiviteteve të saj në terren, duke përfshirë edhe zonat rurale të komunës.
Këtë dite, punëtorët dhe makineria moderne e kësaj ndërmarrjeje kanë filluar aksionin e pastrimit të ambientit përgjatë rrugëve kryesore në zonën Sopijë – Vraniq, me qëllim lirimin e hapësirave publike nga shkurret, bari i rritur dhe mbeturinat që dëmtojnë pamjen dhe funksionalitetin e mjedisit.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin e mëngjesit “Sy Qelë” në Radio Vala, kryeshefi i ndërmarrjes, z. Bujar Kuqi, theksoi se ky aksion është vetëm fillimi i një plani më të gjerë për përmirësimin e higjienës publike në të gjithë territorin e komunës.
“Sot jemi në fshatin Sopi dhe do të vazhdojmë me pastrimin deri në fshatin Vraniq. Aktiviteti po zhvillohet me ndihmën edhe të makinerive të siguruara nga kompania ‘Eko Regjioni’. Pasi jemi në fazën fillestare të organizimit – vetëm tri javë që kemi nisur punën – po punojmë intensivisht për të kompletuar edhe stafin dhe pajisjet teknike,” deklaroi Kuqi.
Qëllimi i ndërmarrjes EKO THERANDA është që të bëhet një faktor kyç në menaxhimin e mbeturinave, mirëmbajtjen e hapësirave publike dhe ruajtjen e ambientit të pastër në qytet dhe fshatra, duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet lokale dhe qytetarët.
Ky aksion pritet të zgjerohet në ditët në vijim, për të mbuluar edhe zona të tjera të komunës, duke dhënë një shembull të qartë të angazhimit institucional për një mjedis më të pastër dhe më të jetueshëm për të gjithë.
Lini një Përgjigje