EKO-Regjioni në Suharekë në grevë, shkak mosmiratimi i rritjes së tarifës për mbeturina /

Njësia e EKO-Regjionit në Suharekë ka hyrë në grevë, si pasojë e mosmiratimit në Asamblenë Komunale të kërkesës për rritjen e tarifës për mbledhjen e mbeturinave.

Disa javë më parë, kjo njësi i kishte drejtuar një kërkesë Asamblesë Komunale të Suharekës për rritjen e tarifës së shërbimit, e cila sipas tyre do të ndikonte drejtpërdrejt në përmirësimin e pagave të punëtorëve, si dhe në rritjen e cilësisë së shërbimeve që ofron kompania.

Komuna e Suharekës, si aksionare në këtë ndërmarrje publike, kërkon që çdo vendim i tillë të miratohet nga Asambleja Komunale. Megjithatë, në mbledhjen e fundit, asamblistët nuk arritën të sigurojnë votat e mjaftueshme për ta kaluar këtë kërkesë.

Si reagim ndaj kësaj situate, punëtorët e EKO-Regjionit në Suharekë kanë nisur grevën, duke shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me pagat dhe kushtet e punës.

Ndërkohë, sot ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, i cili ka sqaruar situatën aktuale. Ai ndër të tjera theksoi:

“Mbasi në ditët në vijim, kur sasia e mbeturinave do të rritet, do ta kuptojmë edhe më shumë rëndësinë e mirëmbajtësve të EKO-Regjionit, të cilët janë në grevë për ngritje të pagës.

Tarifa për mbledhjen e mbeturinave është kërkuar të rritet përmes votimit në Asamblenë Komunale, mirëpo pas disa përpjekjeve kjo nuk është arritur.

I keni dëgjuar diskutimet edhe në mbledhjet e kaluara dhe nuk dua të ndërhyj në opinionet e askujt, pasi jemi në demokraci dhe mendimet ndryshe duhen respektuar.

Unë kam qenë pro rritjes së tarifës, sepse konsideroj se është e arsyeshme krahas punës që bën EKO-Regjioni në terren, përmes mirëmbajtësve, punën e të cilëve gjithmonë e kemi respektuar.”

Në anën tjetër, qytetarët kanë kërkuar përmbushjen e obligimeve ndaj EKO-Regjionit, në mënyrë që shërbimet të vazhdojnë si më parë. Ata paralajmërojnë se gjendja me mbeturinat në Suharekë mund të përkeqësohet nëse nuk merren hapa të shpejtë për zgjidhjen e situatës.