Në Suharekë është vendosur sot gurthemeli i stadiumit të ri të futbollit, një projekt madhor që pritet të transformojë infrastrukturën sportive në komunë.
Stadiumi i ri do të ketë 6 mijë e 583 ulëse dhe do të ndërtohet sipas standardeve të kategorisë 2+, ka bërë të ditur drejtori i Departamentit të Sportit në MKRS, Ibër Alaj. Sipas tij, punimet do të zgjasin 750 ditë nga dita e sotme.
Në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit morën pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ministri në detyrë i Sportit, Hajrulla Çeku, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, si dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
Kryetari Muharremaj falënderoi Qeverinë e Republikës së Kosovës për këtë investim, duke e cilësuar si më të madhin në infrastrukturë për Komunën e Suharekës. Ai shtoi se ky projekt do të jetë një pasuri e përbashkët për të gjithë qytetarët:
“Ky është investimi më i madh në infrastrukturë në komunën tonë. E gëzofshim të gjithë së bashku,” tha Muharremaj.
Lini një Përgjigje