Delloci bëhet destinacion kombëtar, Muharremaj nënshkruan planin për fshatin turistik që do të garojë me Rugovën e Prevallen /

Në Komunën e Suharekës është nënshkruar kontrata për hartimin e planit rregullues të fshatit turistik Delloc, një projekt madhor që synon ta shndërrojë këtë zonë në një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në Kosovë.

Me një sipërfaqe prej 750 hektarësh, Delloci do të zhvillohet sipas planifikimit urban modern, duke u bërë jo vetëm një atraksion për Suharekën, por për të gjithë Kosovën. Ky projekt do të garojë në turizëm me zonat malore më të njohura si Bjeshkët e Rugovës dhe Prevalla.

Plani i detajuar synon:
Zhvillim të qëndrueshëm të turizmit malor;
Infrastrukture moderne e të planifikuar;
Shndërrimin e Dellocit në një pikë tërheqëse për vizitorë vendas dhe të huaj.

Kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, ka theksuar se ky është një hap historik për avancimin e turizmit në Suharekë dhe një mundësi e artë për zhvillimin ekonomik e kulturor të gjithë rajonit.