Burim Ramadani prezanton planin: Të rinjtë do të trajnohen nga ushtria, policia dhe zjarrfikësit

Kandidati për deputet nga radhët e AAK-së në listën e PDK-së, Burim Ramadani, ka prezantuar një program të ri special për stërvitjen e të rinjve të moshës 18–25 vjeç në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Në kuadër të 7-vjetorit të themelimit të Ushtrisë së Kosovës, Ramadani bëri të ditur se programi parasheh përfshirjen e rinisë në stërvitje të organizuara nga Ushtria dhe Policia, me qëllim rritjen e gatishmërisë për përkrahje institucionale në raste nevoje.

Sipas tij, programi do të zhvillohet gjatë gjithë vitit, përmes programeve pranverore, verore, vjeshtore dhe dimërore, në pjesë të ndryshme të Kosovës. Të rinjtë do të aftësohen për të ndihmuar Ushtrinë, Policinë dhe Njësitë e Zjarrfikësve, veçanërisht në situata emergjente.