Ish-asamblisti dhe kryetari i nëndegës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Shirokë, Bashkim Ndrecaj, ka njoftuar se nuk do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për Asamblenë Komunale të Suharekës në zgjedhjet e 12 tetorit.
Përmes një postimi publik, Ndrecaj ka reaguar ndaj interesimit të qytetarëve dhe bashkëvendësve të tij nga Shiroka e Maçiteva, duke sqaruar se vendimi përfundimtar është marrë nga Kryetari dhe Kryesia e Degës së LDK-së në Suharekë, të cilët kanë vendosur që Shiroka dhe Maçiteva të mos kenë asnjë kandidat në listën zgjedhore të këtij viti.
“Pas shumë mesazheve që kam pranuar këto ditë lidhur me pyetjen nëse do të jem kandidat për Asamblenë Komunale, ju njoftoj se Kryesia e Degës së LDK-së në Suharekë tashmë ka prezantuar listën e kandidatëve. Sipas vendimit të Kryetarit dhe Kryesisë, Shiroka dhe Maçiteva nuk do të kenë kandidat,” ka shkruar Ndrecaj, duke bërë të ditur se nuk do të kandidojë në këto zgjedhje.
Ky vendim është pritur me keqardhje nga përkrahës të tij në Shirokë dhe më gjerë, pasi Bashkim Ndrecaj ka qenë një zë i dëgjuar në Asamblenë Komunale, dhe për shumë banorë përfaqësonte një lidhje të drejtpërdrejtë me nevojat e komunitetit lokal.
Me gjithë moskandidimin, Ndrecaj ka shprehur mirënjohje për mbështetjen dhe interesimin e qytetarëve, duke mbetur i angazhuar në jetën publike dhe politike si kryetar i nëndegës së LDK-së në Shirokë.
Lini një Përgjigje