Kryetari i Komunës së Suharekës, z. Bali Muharremaj, ka realizuar një vizitë të veçantë te znj. Ajnishahe Kadolli dhe znj. Hanumshahe Sopa, duke shprehur mirënjohjen e tij të thellë për sakrificat, përkushtimin dhe kontributin e tyre të çmuar në familje dhe shoqëri.
Gjatë vizitës, kryetari Muharremaj i falënderoi ato për rolin e pazëvendësueshëm që gratë e moshuara kanë pasur ndër breza, duke ndërtuar vlera, qëndrueshmëri dhe harmoni në familjet e tyre. Vizita nuk kaloi pa një moment simbolik dhe emocional, kur znj. Ajnishahe Kadolli i dhuroi kryetarit një palë çorape suvenir, të thurura me dorë nga vetë ajo, si shenjë respekti dhe mikëpritjeje.
Kryetari Muharremaj e falënderoi ngrohtësisht për këtë dhuratë të veçantë, duke theksuar se do ta ruajë atë si kujtim të përhershëm të sakrificës dhe kontributit të grave të Komunës së Suharekës, të cilat kanë qenë shtylla e familjes dhe shoqërisë.
Respekti për të moshuarit mbetet një nga themelet kryesore të vlerave njerëzore. Ata janë kujtesa jonë e gjallë, këshilla e urtë dhe bekimi i çdo shtëpie. Në fjalët e tyre ka përvojë, në heshtjen e tyre ka sakrificë, ndërsa prania e tyre sjell siguri dhe urtësi për brezat që vijnë.
Në përfundim të vizitës, kryetari Muharremaj falënderoi familjet për mikëpritjen dhe ritheksoi rëndësinë e ruajtjes së respektit dhe kujdesit ndaj të moshuarve, si bazë për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për shoqërinë.

















Lini një Përgjigje