Bajram Tutaj, Kryetar i PDAK-së, nuk do të garojë në zgjedhjet lokale të 12 Tetorit 2025

Kryetari i Partisë Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës (PDAK), Bajram Tutaj, ka bërë të ditur se nuk do të jetë pjesë e garës për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025 në Komunën e Suharekës.

Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, Tutaj ka njoftuar se PDAK nuk do të marrë pjesë me kandidat të vetin në këto zgjedhje, duke theksuar se gara e sivjetme pritet të jetë e ngushtë dhe e dominuar nga partitë e mëdha.

“Subjekti politik PDAK nuk garon në zgjedhjet lokale në Komunën e Suharekës. Duke parë që 12 tetori 2025 paraqet një garë shumë të ngushtë mes subjekteve të mëdha politike, unë, si kryetar i kësaj partie, së bashku me kryesinë dhe nëndegët, jemi të hapur për bashkëpunim dhe koalicione me të gjitha partitë politike. Uroj sukses për të gjithë,” ka shkruar Tutaj.

Kjo deklaratë lë të kuptohet se PDAK është e gatshme për të hyrë në koalicione eventuale në prag të zgjedhjeve lokale, me qëllim të përfaqësimit sa më të mirë të komunitetit.