Shpëtim Selmani fiton çmim prestigjioz në Festivalin Ndërkombëtar në Slloveni

Shkrimtarit të njohur, Shpëtim Selmanit i është ndarë çmim prestigjioz në Festivalin Ndërkombëtar Letrar Vilenica në Slloveni.

Në kuadër të edicionit të 38-të të Festivalit Ndërkombëtar Letrar Vilenica, njëri nga festivalet më të njohura të Evropës Qendrore, aktori, poeti dhe shkrimtari Shpëtim Selmani u nderua me çmimin “Kristali Vilenica” për vitin 2023, nga Shoqata e Shkrimtarëve te Sllovenisë.

Fituesi i Kristalit të Vilenicës 2023 është përzgjedhur nga juria në përbërje nga Alesh Muster, Gregor Podlogar dhe Julija Potrç Shavli, të cilët thanë fjalë të ngrohta për fituesin, duke theksuar në vlerësimin e tyre se bëhet fjalë për një poezi që, pavarësisht referencave dalluese, lundron nëpër peizazhet e poezisë moderne dhe që pas leximit lë mbresa dhe kujtohet gjatë.

Shpëtim Selmani (1986) – poet, shkrimtar dhe aktor
Ai shkruan poezi, prozë, dramë, publicistikë dhe është pjesë e skenës teatrore që disa vite. Kurse disa nga botimet e tij letrare përfshijnë:

Shënimet e një Grindaveci, 2015
Poezi të zgjedhura, 2010-2017 – Poezi në kohën e gjakut dhe dëshpërimit (Multimedia, Prishtinë), 2017
Libërthi i dashurisë, 2019, nga Armagedoni. Ky libër është fitues i Çmimit BE për Letërsi, 2020 dhe është përkthyer dhe botuar në gjermanisht dhe frëngjisht.
“Balada e Buburrecit” është libri i fundit, 2022 nga Dukagjini.