Almir Kryeziu në super formë, Ballkani mposht Dukagjinin në Suharekë /

FC Ballkani vazhdon serinë pozitive në Albi Mall Superligë, duke shënuar një tjetër fitore të rëndësishme para tifozëve të saj në stadiumin e qytetit në Suharekë.

Në ndeshjen e vlefshme për javën e nëntë, skuadra e drejtuar nga trajneri Orges Shehi triumfoi me rezultat të pastër 2-0 ndaj ekipit të Dukagjinit.

Heroi i kësaj përballjeje ishte mesfushori Almir Kryeziu, i cili realizoi të dy golat për Ballkanin në pjesën e dytë, duke konfirmuar formën e tij të shkëlqyer dhe duke u shpallur lojtari i ndeshjes.

Kjo ishte fitorja e tretë radhazi për kampionët në fuqi në fushën e tyre, një tjetër dëshmi e forcës dhe stabilitetit që po e karakterizon skuadrën suharekase këtë edicion.
Në katër ndeshjet si vendas, Ballkani ka arritur tre fitore, duke treguar se stadiumi i qytetit në Suharekë vazhdon të jetë një fortesë e vërtetë për kundërshtarët.

xhiron e ardhshme, verdhezinjtë do të përballen në shtëpi me Gjilanin, në një ndeshje që pritet të jetë tejet interesante. Me formën e tanishme dhe moralin e lartë, Ballkani synon të vazhdojë serinë fituese dhe të mbajë pozitën e lartë në renditjen e Superligës.