Aksident i rëndë në Suharekë, këmbësorja përfundon me lëndime serioze, shoferi në mbajtje me 1.00 promilë alkool /

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të martën rreth orës 12:36 në rrugën “Brigada 123” në Suharekë, ku një këmbësore është goditur nga një veturë që ka devijuar në trotuar.

Sipas informacioneve zyrtare, i dyshuari Sh.E,  duke drejtuar automjetin VW T-ROC në drejtim të Stacionit të Autobusëve, në afërsi të objektit të Gjykatës ka humbur kontrollin dhe ka kaluar në trotuar, duke goditur këmbësoren F.R., e cila po lëvizte në vijën e saj të ecjes.

Viktima ka marrë ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas është dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Sipas raportimit mjekësor, ajo ka pësuar frakturë në këmbën e djathtë dhe është hospitalizuar në repartin e ortopedisë. Gjendja e saj është raportuar jashtë rrezikut për jetë.

Shoferit i është bërë testi i alkoolit dhe ka rezultuar me 1.00 promilë. Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është lëshuar aktvendim për mbajtje 48-orëshe, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.