Komuna e Suharekës ka hapur procedurën e prokurimit për dekorimin festiv të qytetit për fundvitin 2026/2027 dhe 2027/2028, me vlerë të parashikuar prej 50 mijë eurosh.
Sipas njoftimit për kontratë, të përgatitur më 10 nëntor 2026, aktiviteti i prokurimit mban numrin 624-26-9945-2-2-1, ndërsa titullohet “Dekorimi i qytetit për festat e fundvitit 2026–2028”.
Bëhet fjalë për një kontratë publike kornizë për shërbime me një operator ekonomik, me kohëzgjatje të paraparë prej 25 muajsh.
Mijëra metra ndriçim dhe dekorime festive
Sipas paramasës së publikuar në dokumentacionin e tenderit, për secilin prej dy sezoneve festive janë planifikuar sasi të konsiderueshme të ndriçimit dhe dekorimeve.
Në mesin e pozicioneve të parapara janë:
- 3,500 metra ndriçim në drunj dhe shkurre;
- 3,800 metra drita shiritore përgjatë sheshit “Fadil Vata”;
- 4,500 metra drita dekorative me fije të lëshuara;
- 3,200 metra ndriçim për shtyllat e ndriçimit publik;
- Dy bredha me lartësi rreth 9 metra;
- 220 figura festive LED;
- Tri struktura të mëdha me nga tre yje, me përmasa rreth 6.5 × 3.5 metra;
- Dekorim LED me vitin “2027” dhe “2028”;
- 360 metra ndriçim LED mbi konstruksionin e urës kryesore;
- 20 figura të varura festive;
- Dekorimi i katër rrethrrotullimeve.
Vetëm pozicionet e ndriçimit të matura në metra arrijnë në rreth 15,360 metra për një sezon, apo mbi 30 mijë metra për të dy sezonet festive.
Dekorimi i sheshit, urës dhe rrethrrotullimeve
Plani teknik parasheh që dekorimet të përfshijnë sheshin “Fadil Vata”, sheshin qendror, drunjtë, shtyllat e ndriçimit publik, urën kryesore dhe rrethrrotullimet e qytetit.
Punëkryesi do të jetë përgjegjës për montimin, mirëmbajtjen dhe funksionalizimin e dekorimeve gjatë periudhës festive. Po ashtu, në dokumentacion kërkohet kujdestari 24-orëshe për intervenime në rast të defekteve apo ndërprerjeve të ndriçimit.
Dekorimet parashihen të vendosen në dy periudha: dhjetor 2026 – janar 2027 dhe dhjetor 2027 – janar 2028. Pas përfundimit të festave, operatori do të obligohet t’i largojë dekorimet dhe ta rikthejë ndriçimin publik në gjendje funksionale.
50 mijë euro vlera e parashikuar, fituesi ende nuk është përcaktuar
Vlera e parashikuar e kontratës është 50,000 euro, ndërsa kriteri për dhënien e saj është çmimi më i ulët.
Afati për dorëzimin e ofertave është caktuar më 25 nëntor 2026, në ora 14:00.
Duhet theksuar se bëhet fjalë për kontratë kornizë me çmime për njësi. Sasitë e paraqitura në paramasë janë indikative dhe nuk nënkuptojnë se Komuna do t’i porosisë domosdoshmërisht të gjitha sasitë e planifikuara. Pagesat do të bëhen sipas porosive dhe sasive të realizuara faktikisht.
Procedura aktualisht është në fazën e tenderimit dhe deri më tani nuk është përcaktuar operatori ekonomik fitues dhe as nuk është nënshkruar kontrata.














Lini një Përgjigje