Një rast i zhdukjes së një vajze 14-vjeçare nga Suhareka ka marrë një zhvillim të rëndë, pasi hetimet e Policisë kanë rezultuar me arrestimin e një 24-vjeçari, i dyshuar për veprën penale “Dhunimi”.
Rasti ishte raportuar më 11 nëntor, kur nëna e të miturës ishte paraqitur në Stacionin Policor në Suharekë për të raportuar zhdukjen e vajzës së saj, me inicialet A.D., e cila ishte larguar nga shtëpia një ditë më parë dhe nuk ishte kthyer.
Pas kërkimeve policore, më 12 nëntor, rreth orës 09:30, e mitura është lokalizuar nga Policia.
Gjatë deklarimit të saj, ajo ka bërë të ditur se gjatë kohës së largimit nga shtëpia kishte qëndruar në shoqërinë e një personi madhor, në një shtëpi në një fshat të komunës së Suharekës.
Më pas, e mitura është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekzaminim mjekoligjor, ndërsa pas procedurave përkatëse është vendosur në strehimore.
Ndërkohë, zhvillimi i fundit i rastit ka ndodhur më 13 nëntor, rreth orës 12:00, kur hetuesit policorë kanë identifikuar dhe arrestuar një 24-vjeçar, i cili dyshohet se kishte qëndruar me të miturën gjatë kohës së zhdukjes së saj.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me urdhër të Prokurorisë së Shtetit ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.Rasti po hetohet për veprën penale “Dhunimi”, ndërsa organet kompetente janë duke punuar për zbardhjen e plotë të rrethanave.I dyshuari prezumohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.














Lini një Përgjigje