Në Suharekë, një incident i shëmtuar mjedisor u kthye në një shembull të përgjegjësisë qytetare, falë reagimit të shpejtë të kryetarit të komunës, Bali Muharremaj, dhe punës produktive të inspektorëve komunalë.
Të premten, Muharremaj publikoi një status të ashpër në rrjetet sociale, duke dënuar hedhjen e mbeturinave në hapësira publike. Ai shpërndau fotografi të një zone të ndotur pranë urës që lidh Lagjen e Bajraktarëve me rrugën unazore, duke e quajtur këtë akt të turpshëm dhe të dënueshëm me ligj. “Ai që e ka bërë këtë vepër duhet ta pastrojë vendin, ndryshe do të ballafaqohet me ligjin,” shkroi ai, duke ftuar qytetarët të ndihmojnë në identifikimin e personave të papërgjegjshëm.


Falë punës produktive të inspektorëve komunalë, brenda dy ditësh ndotësi u identifikua dhe u detyrua ta pastrojë vendin. Sot, kryetari ndau një tjetër mesazh, por këtë herë me një ton më pozitiv. Ai njoftoi se individi që kishte ndotur hapësirën publike e kishte pastruar vetë zonën. “Pamja pa mbeturina është më e mirë, sepse u pastrua nga ai që para dy ditëve i hodhi ato,” shkroi Muharremaj, duke e shoqëruar postimin me foto të zonës tashmë të pastër.


Burimi i lajmit: SuharekaExpress
Lini një Përgjigje