Në Lagjen “Fidanishte” në Suharekë, u bë përurimi i çerdhës “Fluturat”

Komuna e Suharekës është një ndër komunat me numër më të madh të çerdheve publike në Kosovë.

Vargut të këtyre çerdheve sot iu shtua edhe një në përurimin e të cilës ishin prezent edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Me këtë rast kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fjalën e tij pos tjerash ka thënë se: “Çdo investim në arsim është një investim në të ardhmën.Është nder i veçantë që jam sot me ju për të inauguruar institucionin parashkollor “Fluturat”.

Një investim i rëndësishëm për të ardhmen e fëmijëve dhe gjithë qytetarëve të Komunës së Suharekës”. Ndërkaq, kryetari i Komunës Bali Muharremaj, pasi ka përshëndetur të pranishmit më pas ka shtuar:

“Përurimi i kësaj çerdhe është një mundësi e shkëlqyer për edukim dhe kujdes për më të vegjlit tanë.

Kjo është çerdhja publike e nënta me radhë gjatë mandatit tim”. Institucioni parashkollor që u përurua sot ka një hapsirë prej rreth 1800 metra katrorë dhe ka hapsirë për 160 fëmijë, ndërkaq ka kushtuar rreth 700 mijë euro.