Radio Vala 98.3 FM

045/049/235300

Adresa

Rr.Avni Rrustemi Shirokë Suharekë

Historia e dhimbshme e Marigosë, gruaja që qëndisi flamurin e Pavarësisë!

Kulturë  |  E Diele - 12 Maj, 2019  |  507 Lexime

Historia e gruas që besohet se qëndisi flamurin, të cilin Ismail Qemali e ngriti më 28 Nëntor 1912 në Vlorë. Aktiviteti politik e shoqëror i Marigo Pozios, që vdiq e vetmuar në Tiranë, pasi kishte humbur fëmijët dhe bashkëshortin nga turbekulozi.

Mediat kanë sjellë një shkrim të antropologut Jakov Milaj (1911-1997) të botuar në revistën Përpjekja Shqiptare e Branko Merxhanit.

Shkrimi është publikuar në numrin 13 të janarit 1938 të kësaj reviste, vetëm pak kohë pasi ishte shënuar 25 vjetori i Pavarësisë Kombëtare. Pa marrë përsipër vërtetësinë e të gjithë atyre që shkruhen në artikullin e mëposhtëm, po e sjellim atë të plotë me fare pak ndryshime gjuhësore, për të kuptuar atmosferën e asaj kohe si edhe disa fakte rreth figurës së gruas së shumëpërmendur në historinë tonë kombëtare.
 

Zonja Marigo dhe flamuri kombëtar - Nga Jakov Milaj.

E ëma e një shoku t’im ruan me kujdes, në fund të arkës së teshave një flamur të vogël në trajtë trekëndshi me dimensionet 70 X 40 cm. Eshtë i kuq si flaka, me thekë të mëndafshtë rreth e rrotull, me një shqipe të bukur nga pjesa e gjerë, e me një fytyrë…., të qëndisur me dorë në zemër të shqipes. Nga pjesa e ngushtë e trekëndëshit shkruhet me germa ari: Rroftë Shqipëria.

Si ky flamur ka me qindra nëpër familjet vlonjate. I ka punuar Zonja Marigo. Kush e ka e ruan si sytë e ballit. E mbante, dikur, të fshehur në ndonjë cep që s’i binte në sy gjindarmit fesë-kuq; më pas, të ekspozuar në krye të odës së miqve; tashi që ka nisur të vjetërohet, e ka palosur, e ka mbledhur mirë dhe e ruan si ujët e pakët që mos të shkyhet.

Esht pema e një epoke entuziazmi, puna a një farkëtareje të idesë kombëtare.

Vlore, një herë e një kohë, ka pasur një zonjë që të gjithë ditën e kalonte duke qëndisur flamuj, të gjithë natën duke pritur e përcjellë nacionalistët që në shtëpinë e saj, bënin mbledhje për të shkëmbyer mendime e për të marrë vendime rreth luftës për Atdhe. Ata që kanë hyrë e dalë në një shtëpl të vogël, dera e madhe e së cilës hapet në rrugën që sot mban emrin “Justin Godart”, m’a kanë përshkruar në këtë mënyrë Zonjën Marigo Pozio: ishte një grua hollake, me gjatësi mesatare, e me një fytyrë të ëmbël, nën rrudhat e së cilës fshiheshin tiparet e një gruaje që kishte qenë e bukur në të ri të saj. Ishte gojëmbël e buzëgaz.

E zonja në fjalë sa ia kthente mendjen edhe burrit më të peshuar, trimëreshë në vepra sa nuk i trembej syri as prej bajonetave tyrke. Ishte mjaft e gjallë dhe, për në kohët e saj, kishte një kulturë të mirë të shoqëruar nga një gjykim i fortë. Dinte shume gjëra: njihte, sidomos, mirë përpjekjet e shqiptarëve për liri; kishte lexuar të gjithë poetët e Rilindjes sonë Kombëtare, shumicën e vargjeve të të cilëve e dinte përmendësh.

Kam përpara sysh shumë fotografi të saj: diku ajo duket e zymtë a e menduar, diku ka një qeshje ironike në buzë, diku spikat shenja e gëzimit. Këto kuadro përbëjnë, në mënyrën e tyre, termometrin e veprës nacionaliste: herë ngrihet pse punët shkojnë mbarë, herë ulet pse dalin pengesa, paraqiten rreziqe, bëhen gabime. Por kurdoherë, në thellësin e syve që lëshojnë xixa gjallërije, fshihet një farë gëzimi, gëzimi që ajo pret: është e sigurt se Shqipëria do të dalë më vehte e do të shkojë përpara. Shumë vjet më pas, gazeta e saj “Shpresa Kombëtare” do të botojë një poezi të hartuar në kohën e robërisë: 

Do vinjë prapë, do vinjë

Do vinjë vera, behari;

Bima, lule ta mbinja,

Të marrë shpirt Shqipëtari.

Retë e zeza do përdahen,

Do shkojnë koha e ftohtë,

Lotët në vite do thahen,

Se do vinj diell i ngrohtë.

(Shpresa Kombëtare: Viti 1, Nr. 6 — 25 Maj 1921)

***

Ibrahim Shyti, arkivisti fanatik i impulsit nacionalist vlonjat, përves kujtimeve që mban në tru, ruan edhe shumë dokumenta të vlefshëm, letra të shkëmbyera e gazeta të vjetra që kanë të bëjnë me Rilindjen tonë Kombëtare. Shumë ndër këto flasin për Zonjën Marigo Pozio.

Ka njerëz që mbajnë mend se kjo zonjë, që në vitin 1904, do me thënë përpara shpalljes së Hyrietit, interesohej psr csshtjen shqiptare, predikonte idenë e shqiptarizmës nëpër gra e nëpër burra, mirrte pjesë nëpër mbledhjet e ndryshme të nacionalistëve. Ndërsa i shoqi, Jovan Pozio, një burrë i mirë e i dukshëm, e kalonte ditën në dyqanin e tij të madh, Zonja Marigo, në shtëpi, qëndiste, shkruante artikuj për gazetat, shkëmbente letra me miqtë e shumtë atdhetarë të shpërndarë në të gjithë botën, e u fliste grave të Vlorës për një Shqipëri të lirë, diskutonte me burrat për ngjarjet e ditës, për propagandën që duhej filluar, për luftën që duhej nisur.

Pas shpalljes së Pavarësisë, Zonja Marigo nuk men së punuari për çështjen kombëtare. Është bashkëpunëtore e Ismail Qemalit, të cilit, më 28 Nëntor 1912, i jep flamurin që do të shohë për të parën herë dritën e diellit të shkëlqyer shqiptar. Dera e oborrit të saj tashi i hap të dyja kanatat për të pritur e përcjellë nacionalistët. Oda e miqve bëhet qendra më kryesore ku rrihen problemet e koklavitura të ditës; është salloni ku autorët e Shqipërisë së porsalindur lexojnë me zë të lartë, ashtu siç bënin poetët frëngj të shekullit të 18, veprën e tyre ndërtonjëse të shkruar sido kudo.

Në këtë kohë ajo kthen sytë në një fushë tjetër të palëruar të cilën e kishte në kujdes për vite me radhë: në rrethin e grave. Nis, më parë, këshillat, propagandën. Iu flet zonjave të cilësdo klasë: të bejlerëve, të tregtarëve, shërbetorëve të tyre, grave të pasura e të varfëra. Më vonë propozon mbledhjen e një kongresi të gruas Shqiptare dhe ia arrin qëllimit. Në krye të vitit 1914, themelohet shoqërija “Shpresa Kombëtare” (“Populli”, Viti 1, Nr, 3 — 18 Prill 1914), në të cilën ajo, më e ditura grua e qytetit, zgjidhet sekretare.

Viti 1914 ka qenë një nga vitet më të përzierë në jetën tonë kombëtare. Princi gjerman von Ëied, që u dërgua për të mbretëruar, e gjeti vendin tonë në lufte me tanët e me të huajt. Shqipëris i ishin njohur kufijt që më 1913 prej Konferencës së Londrës, por shtetet fqinjë nuk e pranonim vendimin e Fuqive të Mëdha. Grekët kishin dale në prefekturat e Korcës e të Gjirokastrës dhe, me gjithë kundërshtimin e dëshpëruar shqiptar, kishin mundur të ecin përpara. Shumë familje, për të shpëtuar nga ndjekjet e tyre, kishin lënë plënk e shtëpi dhe kishin ardhur në Vlorë. Nën ullishtat, nëpër shtëpira të rrëzuara e dyqane të vjetër ishin mbledhur mijëra muhaxhirë.

Një gjendje e këtille, që as burrat s’po i bënin dot ballë, me gjithë se po përdornin armët dhe po derdhnin të gjitha fuqitë e tyre të varfëra në diplomaci, e vinte në pozitë të vështirë veprën e Zonjes Marigo. Ajo duhej të mbante gjallë entusiazmin ndër shoqe dhe të bënte dicka të dobishme për Atdhen e mjeruar. 




https://www.mekulipress.com/historia-e-dhimbshme-e-marigose-gruaja-qe-qendisi-flamurin-e-pavaresise/

Historia e dhimbshme e Marigosë, gruaja që qëndisi flamurin e Pavarësisë!

Reklamë

Komentet

Kulturë

 

Marketingu

Politikë

Ekonomi

Kulturë

Sport

Opinione

Sociale

Showbiz

Argëtim