Radio Vala 98.3 FM

045/049/235300

Adresa

Rr.Avni Rrustemi Shirokë Suharekë

 

Trajtimi i ankthit dhe krizave të panikut - Pa ilaҫe!

Sociale  |  E Diele - 21 Prill, 2019  |  597 Lexime

Kriza e panikut është ndër eksperiencat më të frikshme mendore.
Simptomat janë konjitive, fiziologjike dhe fizike. Simptoma dalluese nga eksperiencat e tjera është frika shumë e madhe dhe ndjenja se personi po çmendet e po vdes, megjithëse nuk vuan nga ndonjë sëmundje. Të njëjtat simptoma me krizën e panikut, por më të buta, ka ankthi.
 

Simptomat fiziologjike: frymëmarrje e shpejtë, të rrahura të shpeshta zemre, tharje ose djersitje e lëkurës, valë të nxehti ose të ftohti nëpër trup, ndjenjë të vjellti, marrje mendsh, diarre, ngritje ose ulje e tensionit të gjakut.

Simptoma fizike: dridhje, axhitim, katatoni.

Simptoma konjitive: frikë shumë e madhe pa ndonjë shkak, ndjenjë sikur po çmendet, sikur do vdesë, ndjenjë depersonalizimi dhe derealizimi.

 

Kur kriza e panikut përsëritet rregullisht personi ka çrregullimin e panikut. Kriza e panikut mund të përsëritet disa herë në vit, ose disa herë në ditë. Në periudhat mes krizave të panikut personi zakonisht ka nivel ankthi më të lartë se tek personat e shëndetshëm.

Kriza e panikut fillon pa pritur, pa asnjë shkaktar të dukshëm të atëҫastit.

Disa nga terapitë kundër ankthit dhe krizave të panikut, janë:



Terapia e gjumit: 

Perendimi i diellit
Pagjumësia në vetvete është në gjendje të shkaktojë ankth dhe kriza paniku. Ankthi dhe krizat e panikut e shtojnë pagjumësinë dhe mund të shtrohet pyetja se cila vjen e para, pagjumësia apo ankthi? Ka raste kur pagjumësia vjen e para, shkakton ankth, kriza paniku. Këto e shtojnë më shumë pagjumësinë, e cila pastaj e shton dhe më shumë ankthin dhe krizat e panikut (në një qark fidbeku pozitiv). Ka raste kur ankthi, krizat e panikut vijnë nga faktorë të tjerë (të listuar më poshtë) dhe pagjumësia është efekt anësor. Pagjumësia mund të vijë për arësye të ambjentit të papërshtatshëm kur fle gjumë personi (fle në dhomë me shumë persona, bën shumë ftohtë, shumë vapë, shumë zhurmë, shumë dritë etj.), për arësye të kërkesave të punës, të familjes (duhet të kujdeset për një person të sëmurë, për fëmijë të vegjël gjatë natës, punon me orare të zgjatura etj.).  Pagjumësia mund të vijë nga një sëmundje kronike me dhimbje somatike (si reumatizma, fibromialgia, spondilartroza etj.). Në sëmundjen Pagjumësia Fatale Familjare (sëmundje shumë e rrallë) personi fillon të vuajë nga pagjumësia, për shkak të një difekti në një enzimë, dhe një ndër efektet e para të pagjumësisë janë krizat e panikut. Për përmirësimin e gjumit aplikohet terapia e gjumit.
 

Rregullat e terapisë së gjumit janë si vijon:

  • Personi duhet të bjerë për të fjetur herët, në të njëjtën orë cdo ditë (ora 8-9 e darkës është ideale), dhe të ngrihet në të njëjtën orë cdo ditë.
  • Duhet të shmangë drogat  si kafeinën, nikotinën, alkoolin.  Alkooli cregullon gjumin në mes të natës kur trupi është duke metabolizuar alkoolin
  • Të kryejë aktivitet të rregullt fizik, sidomos në mëngjez dhe në perëndim të diellit. Përpara gjumit mund të bëjë aktivitet fizik relaksues si joga.
  • Të mos hajë ushqime të rënda në darkë, si yndyrna dhe mish.
  • Të ekspozohet mjaftueshëm gjatë ditës ndaj diellit. Ekspozimi ndaj dritës natyrale e rregullon ritmin ditë-natë të trupit dhe prodhon edhe vitaminë D, e cila sjell një ndjenjë relaksimi.
  • Të shmangin aktivitetet shumë impenjuese dhe emocionuese përpara gjumit (si psh. filmat horrorr, palestrën).
  • Ta përdorin krevatin vetëm për të fjetur jo për të parë televizor;
  • Dhoma e gjumit duhet të jetë e errësuar mirë, e qetë. Nqs. nuk i ka këto kushte mund të përdorin maskë sysh dhe tapa veshi.
  • Spektri blu i dritës është më i fuqishëm në ndikimin ndaj ritmeve cirkadiane. Llampat fluoreshente kanë më shumë spektër blu se llampat inkandeshente. Prandaj llampat inkandeshente janë më të rekomandueshme nga pikëpamja shëndetësore.
  • Sa më e fuqishme të jetë drita artificiale gjatë natës aq më shumë çrregullon ritmin cirkadian. Prandaj mirë është të përdoren drita aq të fuqishme sa është e nevojshme për të parë mirë, dhe jo më shumë.
  • Ca kohë përpara gjumit mirë është të zbehet drita, duke ndezur psh. një llampë më të vogël se ajo kryesore.
  • Gjumin e natës mund ta plotësojmë me gjumin e drekës. Nëse flemë herët, para orës 2-3 mbasdite, gjumi i drekës nuk krijon vështirësi për gjumin e natës.

Kur kemi ndonjë aktivitet stresues si psh. provim, dalje në publik etj. mund të praktikojmë dremitjen disa-minutshe përpara aktivitetit, për tu qetësuar. Nuk ka rëndësi nëse na zë gjumi apo jo, mjafton të ulemi ose shtrihemi, të mbyllim sytë dhe të rrimë. Nëse e kryejmë këtë rregullisht, sa herë që jemi të stresuar,  bëhemi më efiҫent në qetësimin e ankthit. Dremitja/mbyllja e syve mund të praktikohet dhe ditët kur nuk kemi plotësuar orët e gjumit gjatë natës, sa herë që gjejmë kohë të lirë, qoftë edhe në ambjente të zhurmshme si psh. në pritje në zyra, në autobuz, në park etj.

 

-Terapia e deprivimit sensorial (ose anti-stres)

Stresi psikologjik

I stresuar nga mbingarkesa  

Në ditët moderne ngarkesa me stimuj mendorë është shumë e lartë. Televizori ka program 24 orë në ditë. Ka me qindra kanale të cilat na bombardojnë me informacion që në shumë raste është shumë intensiv për nga përmbajtja emocionale si me lajme me vrasje, me katastrofa natyrore. Kemi akses 24 orë në Internet, mund të kemi lexuar me qindra-dhjetëra libra gjatë jetës, me histori dhe personazhe dramatike. Videolojrat gjithashtu janë shumë stimuluese.

Programuesit e televizioneve, të videolojrave, shkrimtarët e librave përpiqen që materiali të ketë përmbajtje sa më emocionale, shokuese.  Kjo është e lodhshme, megjithëse mund të na duket e natyrshme sepse jemi ekspozuar që nga lindja ndaj këtyre stimujve.

Nqs. para 200 vjetësh nuk kishte elektricitet dhe nata ndriҫohej me pishtarë,me intensitet ndriҫimi minimal, sot ndriҫimi natën është shumëfish më intensiv dhe jemi të ekspozuar 24 orë në ditë ndaj dritave. Zhurmat, për shkak të automjeteve, dhe dendësisë së popullsisë, janë shumë më të larta ditën, dhe vazhdojnë gjatë gjithë natës.

Dendësia e popullsisë është rritur shumë në krahasim me shekuj më parë, dhe në qytete një person mund të kontaktojë me dhjetëra persona në ditë (në punë, në shkollë, në lokal etj.). Ҫdo kontakt social kërkon një vigjilencë të personit për komunikim optimal. Personat në marrëdhënie pune kanë axhendë shumë të ngjeshur dhe kjo i streson, kurse personat e papunë stresohen nga mungesa e burimeve të jetesesës.

Këto stimuj e mbingarkojnë trurin. Personat që janë të prirur ta kërkojnë stimulimin mendor, duke ngjeshur axhendën ditore me sa më shumë aktivitete dhe informacion mendor,janë dhe më të prirur për të qenë ankthiozë. Për të pakësuar stresin psikologjik duhet të pakësojmë ngarkesën emocionale dhe konjitive të trurit duke filluar nga gjërat më pak të nevojshme. Mund ta fillojmë nga mbyllja e televizorit, mos-leximi i romaneve, poezive, aksesi i kufizuar në internet, kufizimi i orëve të leximit nëse jemi nxënës dhe të orëve të punës nëse jemi të mbingarkuar me punë.

Abuzimi me drogat  është tipik tek personat me ankth. Drogat kanë efekte qetësuese ose stimuluese afatshkurtra, por efekte shkatërruese afatgjata. Alkooli, hashashi, heroina janë qetësuese, kurse kafeina, caji kinez, caji jeshil, kokaina janë stimuluese. Duhani është edhe qetësues, edhe stimulues. Personi me ankth i përdor drogat qetësuese zakonisht në darkë, para gjumit, kurse drogat stimuluese në mëngjes, pasi ngrihet.

Personi ankthioz duhet të synojë pakësimin, deri në eliminimin e drogave, përfshirë kafen, duhanin, alkoolin. Terapia e gjumit dhe terapia REST  kanë efekt qetësues dhe ndihmojnë në pakësimin e drogave qetësuese,kurse ushtrimet fizike kanë efekt stimulues dhe zëvendësojnë drogat stimuluese. Terapia REST  konsiston në izolimin e plotë nga dritat, zhurmat për disa minuta ose orë (nqs. na zë gjumi ndërkohë nuk ka problem, më mirë akoma).

Personat ankthiozë kanë prirje të abuzojnë me auto-erotizmin (masturbimin), i cili fillimisht i qetëson, por me shtimin e shpeshtësisë kthehet në faktor përkeqësues. Të njëjtat mekanizma psikologjikë që janë të implikuar në përdorimin e drogave (clirimi i dopaminës, serotoninës), implikohen dhe në auto-erotizmin.


 

Shmangja e ambjenteve me pak oksigjen dhe/ose me shumë dioksid karboni.

Klaustrofobia

Sa më shumë CO2 të ketë ajri aq më të theksuara janë simptomat e ankthit dhe të panikut (sipas eksperimenteve). Jo më kot, njerëzit që vuajnë nga ataqet e panikut nuk preferojnë ambjentet e mbyllura dhe të ajrosura keq, si psh. autobuzët, qendrat tregtare, ashensorët etj.

Co2 mund të shtohet ose oksigjeni të pakësohet në gjak edhe kur në ajër kanë përqëndrime normale. Disa arësye janë:

Mungesa e oksigjenit në gjak për shkak të anemisë. Ka disa lloje anemish. Anemia megaloblastike psh. shoqërohet shpesh me kriza paniku dhe shkaktohet nga mungesa e vitaminës B12 (gjendet me shumicë tek produktet ushqimore shtazore), ose e vitaminës B9 (gjendet tek gjethurinat). Simptomat e anemisë megaloblastike janë të ngjashme me simptomat e ankthit, si psh.: këputje, lodhje, marrje mendsh, kokë e lehtë, rrahje të shpeshta zemre, marrje fryme, ndjenjë të vjellti.  Mungesë vitamine B9 shkaktohet tek përdoruesit kronikë të alkoolit, tek personat që kanë dietë të varfër në perime jeshile; kurse mungesa e vitaminës B12 krijohet tek personat veganë dhe ata që kanë mungesë aciditeti në stomak për shkak të përdorimit të antacideve ose të problemeve me stomakun.

-Niveli i lartë i CO2 në gjak për shkak të apnesë së gjumit. Apnea e gjumit ndodh kur personi nuk mer frymë normalisht gjatë natës-frymëmarrja i ngadalësohet ose ndërpritet me raste- dhe për këtë arësye ka më pak oksigjen dhe më shumë CO2 se normalja në gjak. Krizat e panikut në këtë rast ndodhin gjatë natës. Një ndër shkaqet e apnesë është mbipesha.

 

Terapia nutricionale

Ushqimi i shendetshem

 

Dieta me pak kalori

Personat me ankth preferojnë ushqimet me shumë kalori që janë zakonisht një kombinim I karbohidrateve me indeks glicemik të lartë (sheqeri, mjalti, mielli 0, patatet, sheqeri etj.) me yndyrat (gjalp, vaj, fara të yndyrta etj.). Ushqime të tilla janë ëmbëlsirat, sufllaqja, pica, patatinat,  etj. Personi e konsumon ushqimin kur është i stresuar dhe do që të ndihet më mirë. Këto ushqime quhen ushqime komfortuese.  Gratë janë më të prirura për të abuzuar me ushqimet komfortuese. Nqs. personi ha shpesh ushqime komfortuese, në vend që të pakësojë ankthin, e shton atë.

Edhe dieta me shumë sheqer dhe ushqime me indeks glicemik të lartë (si mjalti, fiqtë e thatë,shurupi i glukozës etj.) e pa yndyrë, si dhe dieta e kundërt (me shumë yndyrë dhe pa karbohidrate fare,ose ndryshe dieta ketonike) shkaktojnë kriza paniku tek personat e ndjeshëm.  Një shpjegim pse konsumi i sheqerit shkakton ankth është rënia e shpejtë e nivelit të glukozës në gjak disa orë pas konsumit të sheqerit. Fillimisht sheqeri e shton glukozën në gjak dhe gabimisht personi mund të krijojë idenë sikur sheqeri dhe ëmbëlsirat ia qetësojnë ankthin, dhe e shton konsumin e tyre, kur në fakt është e kundërta. Shpesh personat ankthiozë abuzojnë me sheqerin dhe të ëmblat. Kjo është e ngjashme me konsumin e sheqerit nga diabetikët. Këta e preferojnë shumë, kur kanë kriza hipoglicemike e konsumojnë sheqerin për të kapërcyer momentin e krizës, por një diabetik që konsumon sheqer i hedh benzinë zjarrit.

Kundër sheqerit janë shkruar libra të tërë, si “Melankolia nga sheqeri” (“Sugar blues”), i William Dufty, “Diagnoza e Munguar” i Orion Tuss, “Hiq dorë nga sheqeri” (Lick the sugar habit) nga Nancy Appleton etj. Në këto libra, krahas pasojave të tjera negative në shëndet si mbipesha, hipertensioni etj. përmenden dhe pasojat e sheqerit në mirëqënien mendore, si ankth i shtuar, melankoli e shtuar etj.

Ankthi shtohet nga pagjumësia dhe sipas studiuesve në Universitetin Adelaide një ndikim në gjum nga dieta ka dhe yndyra. Dieta me shumë yndyrë na bën të lodhur dhe të përgjumur gjatë ditës, dhe me vështirësi për të fjetur natën.

Yndyrat më të dëmshme për shëndetin janë yndyrnat trans, si margarina. Margarina në vitin 2018 pritet të ndalohet në tregun ushqimor të SHBA-së pikërisht për shkak të studimeve që kanë treguar dëmet shëndetësore që sjell.
 

Ushqimet e pasura me vitamina

Vitaminat B, vitamina D, vitamina C,  kolesteroli, mineralet si magnezi, zinku,  e forcojnë sistemin nervor, pakësojnë ankthin. Prandaj terapistët nutricionalë u këshillojnë të sëmurve me crregullime nervore një dietë të pasur me peshk, mish (sidomos mëlci), ushqime të freskëta me vitamin C,me jeshillëqe etj..

Vitaminat B dhe C dëmtohen pjesërisht gjatë gatimit, prandaj frutat, perimet hahen mundësisht të gjalla. Perimet gatuhen mundësisht në avull (në avull humbasin më pak vitamina), ose kur zihen, hiqen nga zjarri sapo të jenë bërë. E verdha e vezës ka shumë vitaminë B dhe mund të hahet e pabërë, sepse ka më shumë vitamina kështu.
 

Suplementet

Normalisht dieta duhet të jetë e mjaftueshme për të marrë sasinë e nevojshme të vitaminave dhe mineraleve. Por toka bujqësore sot është e varfër në minerale, për shkak të përdorimit të plehrave kimikë. Frutat shpesh vilen përpara se sa të jenë të pjekura, edhe kjo e pakëson sasinë e vitaminave. Personi mund të ketë nevojë për më shumë vitamina, minerale për shkak të ndotjes, nëse ka probleme me sistemin e tretjes etj. Gjithashtu, ka persona që refuzojnë të hanë ushqime të pasura në vitamina, për arësye të shijes së tyre.

Prandaj suplementet mund të mbështesin dietën.

Suplementet kryesore që ndihmojnë kundër ankthit janë:

Vitaminat sintetike B: Ka disa lloje vitaminash B, si psh. B1, B5, B6, B12 etj. Vitaminat B zakonisht merren në kombinim me njëra-tjetrën, në vitaminën B-kompleks. Ato nuk janë toksike edhe kur merren në sasi të tepruar, me përjashtim të vitaminës B6, e cila kur merret për një kohë të gjatë mund të shkaktojë parestezi të përhershme.

Magnezi:  Simptomat e mungesës së magnezit janë: irritueshmëri; ngërçe, dridhje, dobësi muskulore; lodhje, mungesë oreksi, pagjumësi, memorje e dobët, apati etj. Ky zakonisht kombinohet me vitaminën B6. Tek ushqimet, magnezi gjendet kryesisht tek jeshillëqet. Sasia e magnezit në perimet e kultivuara  është pakësuar 25-80% nga vitet 1950.

Vitamina D: Kjo nuk duhet marrë mbi dozën e lejuar, sepse grumbullohet ngadalë në trup dhe bëhet toksike. Vaji I peshkut është një suplement që përmban vitamin D sintetike.

Vitamina C: kjo nuk është toksike edhe kur merret mbi dozën e lejuar.

Problemi me suplementet është se janë më pak të asimilueshme/të efektshme se sa vitaminat natyrale; mund të mbingarkojnë punën e veshkës, mëlçisë; kanë dhe aditivë të cilët mund të jenë të dëmshëm etj.
 

Intoleranca ushqimore

Studimet tregojnë se tek disa individë ushqimet sensitivizuese ose alergjike shoqërohen me shqetësime psikiatrike si depresion, ankth etj. madje mendohet se janë faktorë tek këto sëmundje, prandaj mjekët alternativë këshillojnë dietën rotacionale për të identifikuar dhe pakësuar sensitivizimin nga këto lloj ushqimesh. 90% e alergjive shkaktohen nga  kikirikat, e bardha e vezës, qumështi (por jo djathi), gluteni (që gjendet tek gruri, tërshëra, thekra), arrorët, soja, midhja etj. Është shumë e vështirë të identifikosh një ushqim ndaj të cilit je sensitiv, sepse zakonisht është ushqimi më i preferuar, që e konsumon ditë për ditë.  Personi mund të heqë njëherësh ushqimet tipike sensitive, pra kikirikat, arrat, lajthitë, bajamet, qumështin, të bardhën  e vezës, grurin nga dieta dhe ti rikthejë një nga një pas disa muajsh ndërprerjeje për të identifikuar ushqimin iniciues të ankthit. Ose mund të pyesë prindërit nëse ka pasur alergji ushqimore kur ka qenë i vogël (qoftë edhe në lëkurë. tek fëmijët e vegjël alergjitë shfaqen kryesisht në lëkurë ose si azëm).

Një shkak i shpeshtë i ankthit është disfunksionimi i gjendrës tiroide. Një studim me 222 pacientë me crregullime ankthi dhe depresioni, në 2004, nga Mauro Carta, ka treguar se 16.6% e personave me crregullime ankthi dhe/ose depresioni kanë antitrupa të shtuar ndaj tiroides (kanë tiroidit autoimun). Tiroiditi autoimun, kur ka pak shenja klinike, mund të mos diagnostikohet për vite të tëra tek personi me ankth. Studimet kanë treguar se 27% e grave dhe 7% e burrave në moshë të rritur kanë tiroidit autoimun. Një kontribues në autoimunitet është intoleranca ushqimore.



Ushtrimet fizike

Fiskultura

Shkencëtarët në përgjithësi bien dakort se ushtrimet e rregullta fizike kanë efekt qetësues mbi sistemin nervor, me kusht që mos të jenë të rënda.  Shpjegimet se pse ushtrimet fizike kanë efekt pozitiv janë të ndryshme. Psh. personat që vuajnë nga krizat e panikut janë të ndjeshëm ndaj ankthit, dmth. kanë prirje të katastrofizojnë simptomat e ankthit. Disa studiues (Mc.Ëilliams, Asmundson, 2001; Broman-Fulks, Storey, 2008; Smits et al., 2008; Ströhle et al.,2009; Beck and Shipherd, 1997) kanë vënë re se shtimi i shpeshtësisë së ushtrimeve fizike pakëson ndjeshmërinë ndaj ankthit. Ushtrimet fizike përmirësojnë punën e zemrës, të mushkërive dhe të organeve të tjera të trupit, duke përmirësuar dhe punën e trurit.



Banjot e diellit

banjo dielli

Pothuaj gjithkush mund të flasë për kënaqësinë, qetësinë që i vjen pas një dite plazhi. Në eksperimente me minjtë, kur këta nuk kanë receptorët e vitaminës D, kanë më shumë ankth.  Vitamina D ndihmon kundër sëmundjeve autoimune, dhe disa sëmundje autoimune si tiroiditi autoimun, celiaka etj. shpesh bashkëshoqërohen me ankth.

Trupi merr vitaminën D gjatë banjos së diellit, nga e verdha e vezës, nga peshku. Banjua e diellit mund të bëhet gjatë gjithë vitit: në dhomën e gjumit, në ballkon, në plazh, madje dhe në rrugë. Nqs. vishni një bluzë të thurur me vrima, mund të merrni diell, pa qenë zbuluar.



Pakësimi i ekspozimit ndaj ndotjes 

Cdokush që ka pasur rastin të jetojë në një qytet të madh, mund të ketë ndjerë ankth në ditët e dimrit kur nuk fryn erë dhe gjithë tymi i automjeteve dhe oxhaqeve mblidhet mbi qytet. Një studim nga Melinda Power et al., me mbi 70,000 gra, në vitin 2015, tregon se ekspozimi ndaj grimcave të imëta të smogut, PM2.5, shton numrin e personave me ankth. Sa më i madh ekspozimi aq më i lartë ankthi.

Janë me mijëra llojet e kimikateve të prodhuara nga njeriu që qarkullojnë në natyrë. Në gjakun e njeriut janë gjetur mbi 200 kimikate të tilla. Disa kimikate, si pesticidet, janë krijuar posacërisht për të dëmtuar sistemin nervor.

 


Meditimi 

Meditimi është një gjendje e ngjashme me fazën e parë të gjumit.

Një mënyrë meditimi është: uluni në një ambjent të qetë, mbyllni sytë dhe ndjeni/vëzhgoni mendimet tuaja, frymëmarrjen tuaj pa u perpjekur për ti ndryshuar.  Gjatë përparimit të meditimit mendimet do të pakësohen dhe do e ndjeni veten më të qetë. Meditoni aq minuta sa keni mundësi, jo më shumë se rreth 1 orë. Nqs. ndjeni gjumë, mund të flini.

Meditimi i tepërt (me orë të tëra cdo ditë) mund të shkaktojë dhe crregullimin nervor të quajtur “devijimi kigong” si dhe crregullimin e depersonalizimit-derealizimit. Gjatë crregullimit të devijimit kigong personi ndjen lëvizje të pakontrolluar energjie (ki) në trup. Simptoma të tjera janë: dhimbje koke, pagjumësi, lëvizje rë pakontrolluara të trupit. Kurse gjatë crregullimit të depersonalizimit-derealizimit personit i duket sikur është jashtë trupit, sikur e vëzhgon veten nga jashtë, sikur bota është jo-reale., e simptoma të tjera.




Histori personale mbi crregullimin e panikut,

Cindy Baum

Dita e 1 Majit ka qenë gjithmonë një ditë e bukur dhe pa ngjarje, prandaj u trondita kur pa pritur ndjeva të rrahura të shpeshta zemre dhe marrjemendsh. Telefonova doktorin dhe më tha se me shumë mundësi e kisha nga avujt e bojës së murit me të cilin sapo kishim lyer.Dola në ajër të pastër dhe u përmirësova shpejt. Por simptomat u rikthyen 2 ditë më vonë, kur isha në rradhë në market. Mezi arrita të fusja ushqimet në automjet, u nisa me nxitim për në shtëpi, duke shtrënguar me duart e djersitura timonin. Lutesha mos të më binte të fikët. Simptomat vazhduan në ditët në vijim edhe më të fuqishme. Ndjeja shtrëngim në gjoks, në grykë dhe vështirësi frymëmarrjeje. Më në fund I telefonova burrit, Bradit, dhe I kërkova tëmë ҫonte në urgjencë. Ndërkohë që e prisja fillova të ngashërehesha. Nuk më kishte ndodhur asnjëherë, dhe kjo më trembi shumë. Kjo ishte shumë e papritur.

Mjeku I urgjencës përjashtoi sëmundje të mundshme, rekomandoi bërjen e një EKG-je për zemrën. Pas EKG-së më tha se kisha një atak paniku. Më rekomandoi një qetësues. U lehtësova që nuk kisha atak zemre, duke menduar se kaq ishte.

Në fakt ishte vetëm fillimi I një udhëtimi të gjatë, stresues, sepse ataket e panikut vazhduan. Më ndodhnin kur isha në kinema, apo në restorant, dhe kur ndodhnin desha vetëm të kthehesha në shtëpi. Zgjohesha në mes të natës në mes të një krize paniku dhe përfundoja në dhomën e pritjes, duke qarë nga frika dhe paniku se po më përsëritej paniku. Ndodhte që duke bërë punët e shtëpisë më zinte një ndjenjë mbytjeje. Ishte viti më I vështirë I jetës sime.

I isha bashkuar armatës së 40 milion personave të tjerë që vuajnë nga ankthi në SHBA.

Nuk do e kisha menduar kurrë se do të isha e prekshme nga krizat e panikut. Isha 43 vjeҫ, e martuar, me 4 fëmijë, shtëpiake me një jetë të qetë. Nuk punoja dhe nuk kisha dëshirë për karrierë. Kisha pas qenë krenare se I përballoja mirë streset. Megjithatë kur mendohem mirë, zbuloj streset që më ishin akumuluar gjatë viteve. Më kishin ndodhur disa ngjarje stresuese gjatë 6 viteve të kaluara. Më kishin vdekur gjyshi dhe gjyshja, vjerri dhe kunata. Vetëm disa muaj përpara krizave të panikut më kishte vdekur gjyshja. Bashkë me mamanë u përfshimë në një aksident të vogël. 3 nga 4 motrat dhe vëllezërit e mi u divorcuan. Më doli një tumor në dorë të cilën e hoqa me operacion. Vajza ime e vogël doli se kishte një ҫrregullim të lehtë të të mësuarit. Kurse djali, Nati, sëmurej shpesh nga alergjitë dhe azma etj. Fillimisht sfida më e madhe ishte të pranoja se kisha një problem fizik, jo thjesht mendor. Ishte thjesht reagimi I trurit tim ndaj stresit.

Ndoqa terapi me një psikolog, I cili më këshilloi të mos trembesha kur të më përsëriteshin krizat, të merrja frymë thellë dhe ta lija situatën të kalonte. Në fakt krizat pas asaj të parës ishin më pak të rënda. Ideja se kriza e panikut nuk është e dëmshme, më qetësoi shumë. Gjithashtu kur kisha nevojë fillova të pija dhe një ilaҫ që ma rekomandoi mjeku. Përveҫ psikoterapisë dhe ilaҫit, hoqa dorë nga kafeja, pakësova sheqerin dhe ushqimet e proҫesuara. Fillova të bëja ushtrime fizike ҫdo ditë, si dhe ushtrime relaksuese, të kombinuara me lutje.



nga Nikol:

Krizën e parë të panikut e pata në Maj 1993 (kur isha 27 vjeҫ)-e mbaj mend sikur ishte dje! Kishta ikur për punë në Glasgou dhe po ngisja makinën për në shtëpi. Udhëtimi zgjaste nja 5 orë. U ktheva me makinë se nuk më pëlqente avioni. Natën e mëparshme kisha pirë shumë më shoqërinë dhe kishim rënë për gjumë pas orën 2. Ditën kisha punuar dhe isha pa qejf. Në orën 5mbasdite u nisa për në shtëpi. U futa në autostradë dhe papritur më erdhi të fikët.  Jam fikur më përpara, e njoh atë ndjenjën e keqe kur të ngushtohet shikimi, të errësohet gjithshka dhe pastaj humbet ndërgjegjen. Por tani isha në autostradë në pikun e trafikut, në korsinë e brendshme. Do më duhej të kapërceja 4 korsi për të ndalur makinën. E ula xhamin e makinës dhe ndeza ventilatorin fort. Më iku ndjenja e parë e të fiktit, por vazhdoja të ndjehesha e këputur dhe e dëshpëruar për të ndaluar. Isha në një pjesë të rrugës ku nuk kishte sheshpushime. Vetëm një milje më larg kishte. E qetësova veten, mora ca frymëmmarje të thella. Pas një miljeje më erdhi prapë të fikët. Tani u tremba shumë, u ndjeva vetëm fare.Isha me orë të tëra larg shtëpisë dhe nuk kishte asnjë të më ndihmonte (nuk kisha celular atëhere). Kthimi në shtëpi ishte tmerr I vërtetë- ndaloja në ҫdo vend parkimi që gjeja, qetësoja veten dhe pastaj nisesha prapë, për të ndaluar përsëri. Mu desh shumë kohë të kthehesha në shtëpi. Kur më në fund mbërrita, ndjehesha shumë e lodhur, e sëmurë dhe e tmerruar. Pi prapë tani!-I thashë vetes.

Pas kësaj, sa herë që hipja në automjet, më kujtohej ndjenja e panikur dhe ndjehesha e sigurt se do më përsëritej. Ndjenjat e frikës më mbushnin mendjen!

Fillova të ndjehesha keq edhe kur nuk po ngisja.Shkova tek mjeku muajin tjetër dhe I thashë se më merreshin mendtë, më vinte të fikët gjithë kohës.Më tha se me shumë mundësi ishte nga stresi, të mos shqetësohesha dhe të haja më shumë ushqime me fibra!!

Kjo vazhdoi herë pas here në 2 vitet në vijim-kisha episode kur më merreshin mendtë/më vinte të fikët, shkoja tek mjeku dhe ky më thoshte se nuk duhet të shqetësohesha etj. Më bëri disa analiza gjaku të cilat dolën mirë. Në vitin 1999 shkova në Majorka, por tashmë kisha shpesh panik dhe fluturimi për në shtëpi ishte I frikshëm- kisha shumë frikë, isha klaustrofobike, desha të dilja nga aeroplani. Rrugës me taksi nga aeroporti për tek makina ime më zuri prapë paniku.

Korrik 1995 – paniku po shtohej kaq shumë, saqë partneri im më shoqëronte nga puna në shtëpi se sa herë hipja në makinë më zinte ndjenja e panikut. Një herë pësova dhe aksident nga kjo. Një makinë më qëlloi nga mbrapa dhe më përplasi me dy makinat e tjera përpara.

Nuk u plagosa, thjesht desha të shkoja në shtëpi. Tashmë nuk udhëtoja më me taksi, me mjetet e tjera të transportit publik. Madje as në makinë nuk hipja me asnjë. Kjo ma vështiroi jetën. Atë natë nuk e dija si do të shkoja në shtëpi. Më mori një makinë që ishte përpara-partneri im I tha të ngiste shumë ngadalë! E kuptova se duhej të shkoja në spital, sepse më dhimbte kurrizi, por si do të shkoja? Morëm në telefon prindërit e partnerit tim që të më merrnin me makinë. Babai I tij na ҫoi shumë ngadalë, sepse isha e tmerruar nga makina. Në spital isha shumë nervoze dhe prita orë të tëra derisa më vizituan. Aty më thanë se nuk kisha gjë. Kur mbërritëm në qytet, ecëm me kilometra të tëra për në qendër, aq sa u lodha shumë dhe e kuptova se pa taksi nuk shkoja dot në shtëpi. Hipëm në një taksi dhe partneri I kërkoi shoferit të ngiste shumë ngadalë-duke I shpjeguar se kisha qenë në një aksident automobilistik, kur në fakt thjesht isha e tmerruar nga makina. Madje e pagoi dhe 5 paund më shumë që të ect engadalë. Aksidenti më mbushi mendjen se makina nuk ishte vend I sigurt. Isha e trembur nga krizat e panikut dhe tani kisha humbur dhe besimin se ngisja mirë. Javë të tëra pas kësaj ngisja vetëm, në përpjekje për të rifituar besimin tek vetja si shofere. E ngisja automjetin por isha e mbushur me panik.

Kishte ditë kur e shmangja pjesën e rrugës ku më kishte ndodhur aksidenti, udhëtoja dhe 15 minuta më shumë vetëm për ta shmangur. Por kështu duhej të rrija më shumë në makinë dhe paniku më zgjaste më gjatë.

Vajta tek mjeku jo shumë kohë pas aksidentit dhe më dha Atenolol (bllokues Beta). Ditën tjetër përfundova në spital.Më bllokohej frymëmarrja. Me sa duket ilaҫi nuk rekomandohej për azmatikë. Në spital më dhanë diazepam dhe ҫaj dhe u qetësova.

Më kujtohet një incident që nuk do e harroj. Duhej të shkoja tek mjeku, ndërkohë makinën e kisha tek servisi, kështuqë shkova me këmbë. Kisha pak frikë, por u nisa, se duhej patjetër ta takoja mjekun. Në mes të rrugës më zuri paniku. Desha të kthehesha. Ngriva në vend, nuk dija të kthehesha në shtëpi, apo të vazhdoja për tek mjeku. Arrita të mbështetesha në një mur, të zvarritesha deri tek kjoska e telefonit dhe të merrja partnerin. Ju luta të linte punën dhe të vinte të më merrte (besoj shefi ju bezdis). Kur erdhi unë po dridhesha e tëra. Më ҫoi tek mjeku. Që atëhere nuk më ka ndodhur të jem kaq e trembur.

Mjeku më rekomandoi diazepam për të më qetësuar. Diazepami më qetësoi dhe mendova se me kaq u zgjidh problemi. Kisha shumë probleme në këtë kohë. Emocionalisht ndjehesha e shkatërruar dhe mu desh të lija punën 1 muaj për tu qetësuar. Nuk dilja nga shtëpia dhe isha bërë agorafobike. Vazhdova të punoja nga shtëpia se më vriste ndërgjegja. Puna me siguroi një kompjuter.

Nga keq u bëra dhe më keq. Partneri më la dhe më tha se nuk kujdesej dot më për mua.Mbeta vetëm, pa miq, pa familjen afër.

Në shkurt 1996-rreth 3 vjet pas krizës simë të parë të panikut, më thanë se vuaja nga ҫrregullimi I panikut dhe nga agorafobia. Kisha kriza të pakontrollueshme paniku, kështuqë më dhanë një antidepresant (Dothiepin).Në korrik 1996 më referuan tek një neurolog sepse vazhdova të kisha marrje mendsh gjithë kohën. Më bëri një EEG dhe më tha se nuk kisha gjë.

Në gusht 1996 antidepresantët nuk po më ndihmonin më, kështuqë mjeku mi hoqi. Nuk u përmirësova,kështuqë në nëndor 1996 fillova Prozakun. Prozakun e piva deri në Janar 1998, kur e hoqa vetë sepse nuk  më dukej se po më ndihmonte. Tani e kuptoj se më ndihmoi me ndjenjat e depresionit, por kundër krizave të panikut nuk bënte asgjë.

Nga janar 1997 deri në gusht 1997 u trajtova nga një psikoterapist, një herë në javë, me terapi konjitive bihejviorale.Më ndihmoi shumë dhe më bëri të kuptoj pse ndjehesha e trembur. Ҫdo javë kisha një sfidë, si psh. të hipja në autobuz, apo të bëja pazar. Ishte shumë e vështirë, aspak e këndshme, por duhej që të rikthehesha nromale.

Jeta ime ka qenë një luftë e madhe, thjesht kam ekzistuar, nuk kam jetuar. Kam pasur periudha të mira dhe periudha shumë të këqija, shumë më tepër të këqija.Por punën nuk e lashë. Frikën e fshihja dhe përpiqesha të vazhdoja me rutinën e përditshme.Ishte shumë e vështirë por unë nuk dorëzohesha.

Antidepresantët nuk bënin gjë kundër panikut, kurse terapia terapia pati sukses në sajë të përpjekjeve të mia të jashtëzakonshme. Këto 7 vjet kam pasur afër një partner, I cili më kupton dhe mbështet. Pa të nuk do kisha patur sukses.

Krizat e panikut mu ndërprenë në shkurt 2002-pasi fillova dietën dhe ushtrimet fizike. Ishte një ndjenjë e mrekullueshme.Ndjehesha e ҫliruar dhe e gjallë përsëri. Jeta pësoi një kthesë.



https://psikolog1.wordpress.com/2016/05/01/ankthi-dhe-krizat-e-panikut-shkaqet-e-tyre/
Trajtimi i ankthit dhe krizave të panikut - Pa ilaҫe!

Reklamë

Komentet

Sociale

 

Marketingu

 

Politikë

Ekonomi

Kulturë

Sport

Opinione

Sociale

Showbiz

Argëtim